Saturday, July 27, 2024

Rroftë Koço, poshtë Koço! Shkodranët i kërkojnë presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima lojë të ndershme ndaj Teutës, që duke besuar në fitoren e Vllaznisë ndaj Laçit, kuqeblutë të shpallen kampion

Lexo

Është një personazh shumë i njohur i biznesit, medias, i politikës dhe më gjërë, por për hirë të së vertetes, prej 3-4 ditësh, emri i Koço Kokëdhimës ka qënë si asnjëherë tjetër në focus të opinionit publik shqiptar. Gjithçka lidhet me mjedisin futbollistik shqiptar. Sidomos në Shkodër dhe Durrës, dy qytetet që janë në garë direkte për titullin kampion. Dhe kryesisht, në qytetin verior, ku nisur nga ajo që suksesi i skuadrës së tyre Vllaznia varet jo pak edhe nga paraqitja e Apolonisë në sfidën që ka javën e fundit në Durrës përballë Teutës vendase. Që do të thotë se nëse Vllaznia fiton më shumë se me një gol diferencë ndaj Laçit në Shkodër dhe Apolonia ndal Teutën në transfertë, me barazim apo me humbje me jo më shumë se një gol, kampione shpallet Vllaznia.

Për këtë arsye, në Shkodër, të gjithë i kanë sytë tek skuadra fierake. Dhe, për këtë, futbollistë, trajnerë, drejtues të klubit kuqeblu, por më së shumtmi tifozëria e zjarrtë kuqeblu kanë vënë në shënjëstër presidentin e Apolonisë, Koço Kokëdhima. Pretendimet, kërkesat, thirrjet, mesazhet e drejtpërdrejta ndaj zotit Kokëdhima janë nga më të ndryshmet, që nga ato miqësore dhe profesionale, deri tek batutat e humorit, të cilat kanë si qëllim të bëjnë efektin e duhur që presidenti fierak të motivojë skuadrën e tij për të mos lëshuar në lojë kundër Teutës në ballafaqimin e së mërkurës. Por, jo vetem shkodranët, por Kokëdhima ka qënë personazh kryesor edhe i medias së shkruar dhe asaj vizive me prononcime të drejtpërdrejta, thuajse në të gjitha studiot televizive kombëtare duke folur gjërë e gjatë për këtë temë delikate që pritet të jetë fakor përcaktues në fatin e titullit kampion për sezonin 2020-2021.

Deklarata e Kokëdhimës

“Nuk kemi asnjë siklet ne nga ftesat që të respektojmë garën, që të luajmë ndershëm. Kjo është vetë rruga jonë dhe ajo që ne bëjmë. E kemi dëshmuar në fakt dhe mund ta shihni në këtë kampionat që kemi respektuar garën deri në fund. Është detyra jonë që të bëjmë maksimumin, nuk do të bëjmë asnjë lloj tolerimi. Ne do të luajmë sikur të ishim Vllaznia. Nuk e bëjmë për askënd, por për vete. E bëjmë se kjo është kultura jonë. Kam shumë respekt për Teutën, akademinë e saj, për traditat e saj. Vllaznia ka tifozeri të shkëlqyer, të jashtëzakonshme. Ka tifozerinë më të mirë në Shqipëri dhe kjo na obligon për të respektuar më tepër garën. Jam pak i habitur me disa diskutime: “A do toleroj Apolonia apo jo?”. Si mund të tolerojë një shkollë si Apolonia? Nuk mund t’i mësojmë ata me kulturën e tolerimit, lëshimit dhe manipulimeve. Apolonia është ndërtuar në mënyrë që të mos tolerojë edhe sikur të dojë presidenti. Ne jemi komplet indiferent se kush del kampion. Unë kam pëlqyer Laçin. Kam pëlqyer trajnerin e Partizanit. Vllaznia për më tepër nuk duhet të kishte shkuar në këtë situatë. Do ishte kriminale që mos ta justifikonim pritshmërinë e tifozëve të Vllaznisë. Më kanë shkruar nga e gjithë bota. Duhet të kuptojmë edhe se Apolonia nuk është superfuqi, se ndryshe do qëndronte në Superligë.”

Por, sa dhe si do të jetë mundësia që Apolonia të ndalë Teutën duke i dhënë mundësi të përfitojë Vllaznia, këtë do ta tregojë pasditja e së mërkurës, kur të mësohen rezultatet në dy sfidat, Vllaznia-Laçi dhe Teuta-Apolonia. Atëherë, do të jetë etapa e dytë e personazhit “Kokëdhima”, ku në varësi të rezultatit apo edhe pastërtisë që futbollistët fierakë do të paraqesin në lojës, presidenti i Apolonisë do të shndërrohet një hero, apo në të urryer.

Rroftë Koço!, apo Poshtë Koço! Njëra prej tyre do të zërë jo pak vend në komentet dhe analizat e javës së fundit të kampionatit të Superiores së futbollit shqiptar. Nesër, në këtë orar, gjithçka është e përfunduar, në Shkodër presin me padurim të shijojnë titullin kampion të munguar prej 20 vitesh. Suksese Vllazni, me apo pa Koçon, urojmë që trofeu të bëhet pronë e kuqebluve!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img