Durrsakët e drejtuar nga trajneri Renato Arapi kanë shpartalluar kuksianët duke regjistruar një fitore të thellë me shifrat, 4-1. Fitore që mban vulën shkodranit Rubin Hebaj, i cili ishte protagoniosti kryesor në shënimin e tre golave.
Me këtë fitore, Teuta merr pikët e duhura duke krijuar distancën e duhur për qetësinë e largimit me zonën “play-out”. Ndërkohë, nga ana tjetër, me këtë humbje, Kukësi humbet vendin e tretë dhe momentalisht rrezikon shumë zonën europiane.
Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit për javën e 31-të të Abissnet Superiore, ka nisur me një gol të shpejtë të realizuar nga shkodrani që me një shkëputje të fuqishme me kokë e dërgon topin në rrjetën e portjerit kuksian, Xhika.
Loja bëhet edhe më emocionuese, kur Kukësi arrin të barazojë me anë të Mustës, në një aksion model, që më parë topi i goditur po prej tij shkoi në shtyllën pingule të Qirkos duke u kthyer përsëri tek ai që këtë herë e dërgon në rrjetë.
Barazim 1-1 në pjesën e parë, ndërkohë që 45 minutat e dyta janë të bregdetarëve, të cilët tundin edhe tre herë rrjetën mike, fillimisht me Hebajn në të 52-tën, Dacin në 67-tën, dhe përsëri Habajn në të 84-tën me penallti.