Është mbyllur në mënyrë të pazakontë sfida në National Arena
Është mbyllur sfida në National Arena në Bukuresht, mes Rumanisë dhe Kosovës, ndërkohë që në fushën e lojës ishin të pranishëm vetëm lojtarët rumunë. “Dardanët” nuk kanë pranuar të dalin në fushë, ndërkohë që gjyqtari i sfidës, danezi Morten Krogh u ka bërë me dije lojtarëve rumunë që të bëhen gati për të thënë fjalën e fundit në një sfidë pafund, duke sinjalizuar përfundimin.
Në shtesë, kur rezultati shënonte 0-0, kapiteni Amir Rrahmani mori vendimin për tu larguar nga fusha e lojës bashkë me skuadrën për shkak të situatës së krijuar në stadium, thirrjeve anti shqiptare. U prit për rreth një orë që “Dardanët” të ndryshonin mendje dhe të luanin minutat e mbetura, por kjo në fakt nuk ka ndodhur.
Kështu, gjyqtari i sfidës është rikthyer në fushën e lojës vetëm me një skuadër, atë rumune, për të kryer ritualin e mbylljes. Çështja i kalon UEFA-s, e cila do të vendosë për fatin e kësaj sfide, rezultatin përfundimtarë.