Vllaznia ka një fat të madh, sepse kudo ku luan në transferta jashtë Shkodrës shoqërohet nga tifozë të shumtë që e mbështesin gjatë të gjithë ndeshjes në tribunat e stadiumeve përkatës.
Por, këtij pasi dhe entuziasmi që kanë shkodranët për skuadrën e qytetit të tyre në disa stadiume ku luan Vllaznia në transfertë, çmimet e biletave pësojnë rritje drastike. Dhe, kjo bëhet posaçërisht për tifozët shkodranë duke e ditur që ato nuk kursejnë asgjë për të qënë të pranishëm në shkallët e stadiumit për të mbështetur live skuadrën e zemrës.
Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në pragndeshjen, Tirana-Vllaznia, por raste të tilla ka pasur edhe në disa ndeshje të tjera, si përshembull në stadiumin “Egnatia Arena” dhe atë Elbasan Arena”.
Shqetësimi për një fenomen të tillë përcillet prej dy ditësh nga tifozë të shumtë shkodranë, të cilët ndihen të prekur dhe ofenduar nga trajtimi që i bëhet në këtë rast. Për këtë, ndër të tjera ato kërkojnë ndihmën dhe mbështetjen e mediave shkodrane në lidhje me sensibilizimin e një trajtimi ndryshe që i bëhet atyre në raport me kolegët e tyre në rretheve të tjera.
Krahas rasteve të shumta të denoncuara nga tifozët shkodranë në rrjetet sociale, për temën në fjalë flet edhe Gëzim Çoçja, njëri prej tifozëve shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, prania e të cilit në mbështetje të Vllaznisë shikohet, jo vetem në “Loro Boriçi”, por edhe në të gjithë stadiumet e Shqipërisë ku luan Vllaznia.
I ftuar në emisionin “Studio Sport” në RTSH Shkodra të mesdites së premte, tifozi Gëzim Çoçja, krahas atmosferes dhe emocioneve të pragndeshjes, Tirana-Vllaznia që luhet mbrëmjen e së shtunës në “Air Albania” për javën e 16-të Superiores së futbollit shqiptar, ai ndalet edhe në dy prej rasteve që ai i ka përjetuar vete.
“Rasti i parë është në ndeshjen e transfertës, “Egnatia-Vllaznia”, ku bileta e një tribune anësore në stadiumin “Arena Egnatia”, ndryshe nga çmimi pej 200 lekësh te reja të një ndeshje më parë të luajtur në këtë stadium, për ndeshjen e Vllaznisë çmimi ishte ngritur në 500 lekë. Po kështu, edhe një ndeshje tjetër të luajtur në “Elbasan Arena”, ndryshe nga sa ishte në një ndeshje më parë që ishte në 500 lekë, për ndeshjen Dinamo-Vllaznia ishte ngritur në 1000 lekë të reja”, thotë Çoçja.
Ndërkohë, sa i takon rastit më të fundit, atë të pragndeshjes, Tirana-Vllaznia, ndryshe sa ishte informuar zyrtarisht në faqen zyrtare të të dy klubeve përkatëse që çmimi për tribunën e planifikuar në “Air Albania” ishte miratuar për 400 lekë, në sportelet e Tiranës, shkodranëve iu është shitur me çmimin 600 lek.
Reagimi masiv i ardhur nga tifozëria shkodrane për rastin e çmimit të biletes për ndeshjen Tirana-Vllaznia ka gjetur mbështetjen e strukturave të KF Vllaznia, të cilët po negociojnë për ndërprerjen e një akti të tillë abuziv që po i bëhet tifozërisë shkodrane. Që do të thotë, se kompania përkatëse e shitjes së biletave është urdhëruar menjëherë që çmimi i biletave për sfiden, Tirana-Vllaznia të jetë aq sa është publikuar zyrtarisht, vetem 400 lekë. Madje, edhe për ato që kanë arritur ta blejnë bileten me çmimin 600 lekë, të krijohet mundësia për tu kompensuar me diferencen prej shumë 200 lekë që iu është marrë padrejtësisht.
Ndër të tjera, duke folur edhe në emër të të gjithë kolegëve të tij tifozë të Vllaznisë, Gëzim Çoçja, bën apel publik që përgjegjësit e rasteve në fjalë të ndëshkohen sipas ligjit dhe raste të tillë të mos ndodhin më me tifozërinë shkodrane në asnjë stadium të Shqipërisë.
Krahas kësaj, ai garanton, që ashtu si edhe në rastet e mëparshme, tifozëria shkodrane do të vijojë të ndjekë Vllazninë në të gjitha ndeshjet e transfertes duke e mbështetur skuadrën e zemres me qytetarinë e saj që e karakterizon duke qënë shembull në tribunat e stadiumeve përkatëse.