Tirana nuk gabon përballë Egnatias, të cilin e mposhti 2-0 në “Air Albania”. Suksesi i katërt radhazi në Abissnet Superiore për ekipin kryesues, që ngjitet në kuotën e 46 pikëve, duke e rikthyer në 6 pikë diferencën me Laçin ndjekës, 9 pikë me Kukësin dhe plot 13 pikë me Vllazninë.
Redon Xhixha dhe Engjëll Hoti realizuan golat e fitores për bardheblutë e Orges Shehin, që luajtën pa Taulant Seferin dhe Erion Hoxhallarin. Xhixha zhbllokoi takimin në minutën e 13-të. Kombinime të bukura mes tij, Devid dhe Limajt, dhe gol i sulmuesit kurbinas, i cili është ngjitur në shifrën e 9 realizimeve në kampionat. Egnatia mbeti me dhjetë lojtarë në fundin e pjesës së parë.
Kryesori Cjapi i dha karton të verdhë Demir Imerit pas ndërhyrjes së ashpër kundër Behiratche, por ndryshoi mendim pasi pa pamjet në VAR. I kuq për Imerin dhe ekipi nga Rrogozhina me një lojtar më pak.
Gjithçka u bë më e lehtë për Tiranën. VAR-i anuloi golin e dytë të Xhixhës (55’), teksa golin e qetësisë e shënoi Engjëll Hoti, pak sekonda pasi u fut në fushë. Eurogoli i mesfushorit dardan qetësoi Tiranën, që mori tre pikët e radhës pa konsumuar shumë energji.