Mbërrin Klasikja, një nga ato ndeshje që zbukurojnë futbollin në Shqipëri. Java e 35-të e kampionatit shqiptar do të luhet ditën e mërkurë dhe e gjithë vëmendja është në përplasjen mes Tiranës dhe Vllaznisë, takim që do të luhet në stadiumin “Arena Kombëtare” duke filluar nga ora 16:00.
Brdaric kërkon të tregojë forcën kundër një favoriti për Final Four. Fagu në anën tjetër është në kërkim të rimëkëmbjes pas dy humbjeve radhazi në kampionat.
Përballjet e para kanë nisur që në fillim të viteve 30, kohë që daton edhe me themelimin e dy klubeve edhe pse Vllaznia është klubi që importoi futbollin në vendin tonë.
Në këtë përballje shkodranët vijnë si favoritë, por në përballjet direkte dhe në shifra, Tirana dukshëm është më superiore. Në 208 përballje mes tyre, 181 janë zhvilluar në kampionat, me Tiranën që numëron 82 fitore, kundrejt 55 sukseseve të Vllaznisë, me 44 përballje që kanë përfunduar në barazim.
Po të shohësh dhe numrin e golave të realizuara, Tirana ka shënuar 246 gola kundrejt 206 të Vllaznisë. Dy skuadrat janë sfiduar edhe në Kupën e Shqipërisë, edhe këtu bardheblutë janë superiorë, pasi në 27 ndeshje mes tyre, 14 i përkasin Tiranës, 9 fitore Vllaznia dhe katër barazime mes tyre.