Thursday, April 25, 2024

Tjetër humbje e Vllaznisë në Volejboll Femra. Pas Partizanit dhe Skënderbeut, e mund edhe Tirana 3-0

Lexo

Tirana-Vllaznia 3-0

( 25-23, 25-19, 25-17)

Vllaznia: Paola Gjyshja, Klea Miloti, Laura Ballçiti, Edna Erkoçi, Sarah Beci, Liridona Kodra, Hanna Kniazeva, Dayra Auramchyk, Liobov Pronina, Sara Malaj. Trajner: Besnik Lisha

Tirana: Dhimitra Kole, Stela Agolli, Xhenifer Pira, Denisa Bushati, Leda Preçetaj, Uerda Ndoj, Kejda Kodra, Stela Kiri(L), Kejsi Shira, Alisa Ibrahimi, Anastasia Atepalina, Lidia Vokopola, Livia shehi(L), Silda Doka. Trajner: Amarilda Sijoni

 Gjyqtarë: Igli Feshti, Enri Zenullari

Vllaznia në volejboll për femra nuk po kalon ditë të mira. Ndryshe nga sa parashikohej, që skuadra kuqeblu të ishte lider e kampionatit, situata po flet në mënyrë të kundërt.

Të paktën, kështu janë treguesit e tre javëve të para të kampionatit. Në javën e parë e mund Partizani në transfertë 3-1, humbje në shtëpi për javën e dytë me Skënderbeun e Korçës 1-3, ndërkohë që sot është mundur përsëri, këtë radhë me rezultatin 3-0 nga Tirana në transfertë.

Bazuar në lojën e mirë që zhvilloi një javë më parë ndaj kampiones Skëndërbeu në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku edhe pse u mund 1-3, paraqiti vlera në fushën e lojës, Vllaznia dha sinjale që në përballjen e sotme ndaj Tiranës të ishte ndryshe.

Tifozëria kuqeblu, e cila duhet thënë se po e mbështet Vllazninë e femrave, priste fitoren e parë në përballjen e sotme me Tiranën. Por, ndodhi e kundërta. Skuadra bardheblu e drejtuar nga trajnerja Amarilda Sijoni, ka dominuar totalisht ndaj Vllaznisë dhe në harkun kohor të 1 ore dhe 15 minutave ka mbyllur gjithçka duke e mundur skuadrën kuqeblu me rezultatin e pastër 3-0.

Vllaznia e drejtuar nga trajneri Besnik Lisha ka mundur të rivalizojë vetëm në setin e parë kur është mundur me shifrat 25-23, ndërkohë që në dy të tjerët, setet janë mbyllur me diference, 25-19 dhe 25-17.

3 ndeshje, 3 humbje është një bilanc negativ në këtë fillim kampionati, çka nuk përligj aspak investimet e presidentit Florian Zekja në kampin kuqeblu. Ardhja e tre volejbollisteve të huaja, ruse dhe bjelloruse u konsiderua si arma më e fortë e Vllaznisë për këtë sezon duke shkuar deri aty sa kuqeblutë të deklarohen pretendenti kryesor për fitimin e titullit kampion.

Por, me sa duket, mos-harmonizimi sa duhet dhe si duhet i volejbollisteve të huaja në raport me pjesën tjetër të skuadrës që mbylli sezonin e kaluar, mund të ketë çuar në prishjen e ekuilibrave në skuadër.

Drejtuesit mund ta argumentojnë në forma të ndryshme, por për hirë të së vertetes, diçka nuk shkon në këtë mes. Largimi i një pjese të rëndësishme të skuadrës, me kapitenen Zhivani, Kirin, Kodrën, Mikolupan, dhe së fundmi edhe Mandisa Kuçin, përpos se e kanë dobësuar forcën e skuadrës, nuk ka tingëlluar fort mirë në opinionin sportiv, jo vetëm atë shkodran, por edhe kombëtar. Ndaj, ndoshta është momenti i nevojshëm për ta riparë edhe një herë situatën më me qetësi sa nuk është vonë, në mënyrë që Vllaznia e volejbollit të femrave të shfaqet ashtu siç e dëshiron dhe e pret publiku shkodran dhe më gjërë.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img