Thursday, November 21, 2024

Tre ditë pushim për Vllazninë, kuqeblutë rifillojnë përgatitjet europiane të enjten

Lexo

E diela e kaluar ka qënë dita e fundit e Vllaznisë në kampingun serb të Zllatiborit. Pas përfundimit të miqësores me malazezët e Novi Pazar, takim ky i mbyllur në barazim 2 me 2, skuadra kuqeblu ka konsumuar edhe darkën dhe më pas ka lënë hotelin duke u nisur direkt për Shkodër. Udhëtim i kryer me autobus që ka zgjatur jo pak duke mbërritur në orët e para të mëngjesit të së hënës në qytetin verior.

Që nga ai moment stafi teknik e ka lënë skuadrën pushim duke i kujtuar se takimi me to do të jetë ditën e enjte. Periudha e mbetur deri në përballjen e datës 8 korrik me skuadrën boshnjake FK Siroki Brijeg, e vlefshme për turin e parë të “Conference League” do të vijohet në Shkodër. Ditë këto që do t’i shërbejnë teknikut Thomas Brdariç për të konsiliduar formacionin e parë që do të hedhë në fushë për këtë ndeshje.

Me lojtarët që ka në dispozicion, gjatë tre ndeshjeve miqësore të zhvilluara përballë skuadrave malazeze, Buduçnost, Sutjeska dhe Novi Pazar duket se janë përcaktuar emrat e formacionit të parë. Megjithatë, për ndeshjet europiane, por edhe për sezonin e ri futbollistik, priten edhe ardhje të tjera në kampin kuqeblu.

Emrat e lakuar për t’u bërë pjesë e Vllaznisë nuk kanë munguar, siç ishin ato të Telushit dhe futbollistit me ngjyrë Ngo, por as njëri dhe as tjetri nuk mbërritën fare në Shkodër. Së fundmi, u fol për ganezin Ngisah Bismark, futbollist ky i aktivizuar në futbollin italian, ku ndonëse me kategori të ulta ka spikatur si një sulmues i mirëfilltë.

Falë bisedimeve dhe arritjes së marrëveshjes së bashkëpunimit, në klubin e futbollit Vllaznia e bënin punë të kryer që Bismark do të jetë pjesë e Vllaznisë, madje duke qënë gati që në ndeshjen e parë të “Conference League”.

Por, ndërsa e prisnin të mbërrinte në Shkodër dhe të firmoste kontratën zyrtare me Vllazninë, në skenë del një problem absurd, ai i pasaportës, e cila ka problem me datën e skadences. Një çështje kjo që për Vllazninë nuk është për herë të parë, sepse për një gjë të tillë janë penalizuar edhe më parë me futbollistë të tjerë. Megjithatë, edhe pse vonesa e ardhjes së këtij futbollisti është prezente, drejtuesit janë akoma të bindur se transferimi në fjalë do të realizohet. Nga sa mësohet, ato janë në kontakt të vazhdueshëm me vetë futbollistin dhe në të njëjtën kohë edhe me Ambasadën e Ganës në Itali, e cila ka në dorë dokumentacionin e paisjes me pasaportë të sulmuesit Ngisah Bismark, ardhja në kohë e të cilit do t’i shërbente shumë trajnerit Brdariç për të forcuar vijën e parë sulmuese.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img