Klubi i Futbollit Vllaznia Shkodër dhe Klubi i Futbollit Otrant i Ulqinit kanë një bashkëpunim të mirëfilltë prej vitesh, jo vetëm në kuadrin e ekipeve të para, mes të cilave janë zhvilluar shumë ndeshje miqësore, si në stadiumin “Loro Boriçi”, ashtu edhe në stadiumin “Olimpik” të Ulqinit.
Në vazhdën e tyre kanë qënë edhe miqësoret e futbollit të moshave të zhvilluara sot në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës. Futbollistët miq nga Ulqini të udhëhequr nga drejtori i Klubit Otrant të Ulqinit, Skëndo Rexha, kanë mbërritur me tre ekipe të moshave, dhe konkretisht për kategorinë U13, U15 dhe U17.
Akademia e Futbollit Vllaznia me drejtorin Alban Hasani në krye i është kundrapërgjigjur me tre ekipet e këtyre grupmoshave, ku të parët që janë shfaqur në fushën e lojës kanë qënë 13-vjeçarët. Ekipi i Vllaznisë ka fituar me rezultatin 3 me 1, ku për kuqeblutë golat u shënuan nga Belisha, Rudaçi dhe Marku.
Më pas, ballafaqimi i dytë, Vllaznia-Otrant Ulqin ka qënë për kategorinë e moshës U15, ku me dopietën e Dukës dhe një gol tjetër të Gucisë, kuqeblutë fituan me rezultatin 3 me 0.
Përmbyllja e turneut miqësor në mes Akademisë së Futbollit Vllaznia dhe Akademisë së Klubit Otrant të Ulqinit ishte rezervuar për ndeshjen e tretë të kategorisë së moshës U17. Ashtu si edhe në të dy ndeshjet e mëparshme, Vllaznia ka dalë fituese, këtë radhë me shifrat 5 me 1. E veçanta e kësaj ndeshje është se katër nga pesë golat kuqeblu i ka shënuar Nikaj, ndërkohë që i pesti mban firmën e Grudës.
Në këtë mënyrë, përballja në tre miqësoret e futbollit të moshave në mes Akademisë së Futbollit Vllaznia dhe Akademisë së Futbollit të Klubit Otrant Ulqin, është mbyllur me fitoren e trefishtë të kuqebluve, 3-1 për U13, 3-0 për U15 dhe 5-1 për U17.