Sunday, November 24, 2024

Tronditet volejbolli korçar i femrave. Shkodrani, Besnik Lisha, largohet nga drejtimi i Skënderbeut

Lexo

Besnik Lisha, nuk është më trajner i Skënderbeut në volejboll për femra. Ish volejbollisti i njohur shkodran, që përpos Vllaznisë ka luajtur edhe me Studentin dhe kombëtaren e Shqipërisë, mësohet të ketë shkëputur marrëdhëniet me klubin korçar.

Siç është bërë e ditur edhe më herët, shkodrani Lisha, i cili prej shumë vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku krahas të tjerave ka trajnuar ekipe amerikane, është rikthyer në Shqipëri me dëshirën që përvojën e tij të pasur si sportist dhe sidomos atë të Amerikës si trajner, ta vinte në dispozicion të volejbollit shqiptar.

E filloi misionin e tij tek Vllaznia dhe më pas, si rezultat i disa problemeve organizative në klubin kuqeblu, largohet nga Shkodra. Në vijim, një projekt serioz i mirëinvestuar financiarisht në bashkëpunim me klubin korçar, bëri që Lisha të marrë drejtimin e Skënderbeut. Me një merkato cilësore, kryesisht me volejbolliste të huaja, Skënderbeu shumë shpejt u bë skuadra lidër e kampionatit shqiptar dhe pretendente kryesore për fitimin e titullit kampion.

Megjithatë, diçka nuk ka shkuar mirë në këtë fundviti, dhe sipas burimeve jo zyrtare që vijnë nga Korça, mësohet se për arsye të ndryshme që akoma nuk janë bërë publike, por që thuhet se “mollë sherri” janë bërë lojtaret e huaja të skuadrës, të cilat mund të kenë çuar trajnerin Lisha që të largohet nga drejtimi i Skënderbeut në volejboll për femra.

Lajmi në fjalë, padyshim që mund të ndikojë në përformancën e skuadrës korçare për periudhën në vazhdim, pasi së bashku me Lishën mund të largohen edhe volejbollistet e huaja duke e dobësuar jo pak Skënderbeun kryesues të renditjes.

Interesant është fakti që ndeshjen e luajtur rreth dy muaj me herët në Shkodër, mes Vllaznisë dhe Skënderbeut, Besnik Lisha që drejtonte skuadrën korçare, duke folur nga pallati i sportit, “Qazim Dervishi”, edhe pse në formacionin e skuadrës së tij kishte volejbolliste të huaja, ishte kundër merkatos me element nga jashtë vendit. Dhe, në atë rast ai përgëzonte Vllazninë e Shkodrës, presidentin Florian Zekja dhe stafin e saj drejtues, që ekipin e tyre e kishin ndërtuar me të gjitha volejbolliste shkodrane, me ndonjë përforcim nga kampionati shqiptar. Që do të thotë, se në këtë drejtim, duke pasur në funksion dhe me mjaft cilësi edhe ekipet zinxhir, Vllaznia e ka të garantuar të ardhmen e volejbollit shodran.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img