Monday, November 25, 2024

Turneu Ndërkombëtar i Mundjes, “Muhamet Malo”. Dy të arta si individë dhe e argjendtë si ekip në stilin e lirë

Lexo

Turneu i tretë ndërkombëtar “Muhamet Malo” me fitoren e Kazakistanit si ekip dhe shpalljen e Islam Dudaevit të Shqipërisë si sportisti më i mirë i aktivitetit ka ulur siparin të dielën në mbrëmje. Një aktivitet që është transmetuar gjerësisht në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa Shqipëria, kjo në stilin e lirë, mori katër medalje. Sipas parashikimeve Zelimkan Abakarov në peshën 61 kilogram dhe Islam Dudaev në peshën 65 kilogram ishin të artë, kurse Eriglend Prizreni në peshën 70 kilogram dhe Paris Karepi në peshën 125 kilogram ishin të argjendtë.

“Mendoj që ka qenë organizim fantastik dhe sikurse e patë dhe vetë ishte dhe një garë fantastike aty ku konkurrenca ishte e jashtëzakonshme. Mos harrojmë që kemi një Kampion Bote, kemi një vend të tretë në Europë dhe e patë se çfarë kundërshtarësh kishte. Realisht është një emocion, të cilin unë e përjetoj ende tani që po flas. Kështu që mendoj se si nga ana organizative, ashtu dhe për nga niveli, apo dhe nga ana e rezultateve mendoj se ka qenë gjithçka fantastike”, ka thënë Prizreni.    

Në stilin e lirë do të duhet të ishte pjesëmarrëse dhe Kosova, kjo me Egzon dhe Edon Shalën, të cilët ishin në tapet dhe të shtunën në stilin klasik. Por janë tërhequr, ndërsa presidenti i Federatës së Mundjes së Kosovë, Naim Muja, vlerëson të gjithë garimin e Kosovës në këtë aktivitet.

“Ne si Kosovë e kemi një bashkëpunim të pandashëm me Shqipërinë dhe fati i madh është që kemi dhe Betim Vrenezin anëtarë të Federatës Europiane të Mundjes. Sepse ai na mbështet dhe na bën që të marrim të tilla organizime të mira. Por të mos harrojmë se pa donatorët, teksa barra ka qenë krejt tek ata, nuk është e lehtë të organizohet një aktivitet i tillë”, nënvizoi Muja.

Ndërkohë si rrallëherë, turneu “Muhamet Malo” ka regjistruar dhe ngjarje të paprecedenta. Dhe kjo ka ndodhur në finalen e peshën 79 kilogram, atje ku mundësi nga Kazakistani, Nuruliali ka goditur me kokë gjyqtarin e tapetit, Tedi Llanaj. Fillimisht kartoni i verdhë për kazakistanasin për mospranim të qëndrimit në momentin e shpalljes së fituesit dhe më pas karton i kuq për veprimin dhe skualifikim i menjëhershëm nga garimi. Por dhe më tej, kryegjyqtari i garës, kroati Debor Petanjak, nëpërmjet raportimit në Federatën Botërore të Mundjes, përtej faljes që më pas mundësi bëri ndaj gjyqtarit Llanaj, duket se do të çojë në përjashtimin për dy vite të Nurulialit. Gjithsesi Betim Vreneci, anëtari i Federatës Europiane të Mundjes, ndërsa Shqipëria ndodhet në prag të organizimit të Kampionatit Europian të moshës deri në 17 vjeç, ka nënvizuar organizimin perfekt të Shqipërisë.

“Federata Shqiptare e Mundjes është momentalisht në një kulminacion në Europë. Kjo duke marrë parasysh rezultatet e së kaluarës. Pra Zelimkan Abakarov Kampion Bote dhe Nënkampion Europe në Zagreb. Zhvillimet në mundjen shqiptare janë duke shkuar në nivelin e duhur. Ne si anëtarë të Federatës Europiane të Mundjes jemi në një program zhvillimi të mundjes për femra dhe ku Shqipëria po ecën në atë drejtim dhe në nivelin e duhur”, ka theksuar Vrenezi.    

Mbyllet kështu turneu “Muhamet Malo” për t’ia lënë radhën aktiviteteve të tjera kombëtare e ndërkombëtare.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img