U zhvilluan sot dy ndeshjet e dyta të turneut ndërkombëtar “UEFA Development U-16” për djem, që po të zhvillohet në Shqipëri nën organizimin e Federatës Shqiptare e Futbollit. Në këtë turne marrin pjesë Shqipëria, Moldavia, Azerbajxhani dhe Ishujve Faroe, ndërsa të gjitha ndeshjet luhen në fushat e Shtëpisë së Futbollit.
Shqipëria U-16 e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku u përballë këtë herë me Azerbajxhanin në një duel mjaft të fortë, duke arritur të triumfojë me rezultatin 1-0.
Trajneri Ervin Bulku i besoi thuajse të njëjtit formacion titullar ashtu si në ndeshjen e parë me Moldavinë, duke hedhur në fushë këtë 11-she: Leonard Kolgecaj (GK), Kleo Shpuza, Erigestino Pepnikaj, Renato Halili, Jetmir Laze (c), Xheto Joi Nuredini, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Rinaldo Nela, Ernesto Marqeshi.
Ndeshja ka qenë mjaft e luftuar, ndërsa Azerbajxhani është shfaqur në fushë një ekip mjaft i disiplinuar taktikisht dhe shumë i fortë. Gjithsesi, kuqezinjtë nga ana tjetër kanë bërë gjithashtu një paraqitje mjaft të mirë dhe kanë vënë në vështirësi kundërshtarin disa herë gjatë pjesës së parë.
Goli vendimtar do të vinte në minutën e 37-të pas një këmbëngulje të gjatë të Shqipërisë, me Rifën që fiton një top në sulm pas një gabimi të kundërshtarëve dhe arrin të shërbejë bukur për Tedi Malajn me sulmuesin që finalizon mjaft bukur duke tronditur rrjetën.
Goli ka motuar kombëtaren shqiptare që edhe në pjesën e dytë luan mirë dhe sulmon herë pas here në kërkim të golit të dytë. Edhe Azerbajxhani përpiqet të reagojë, por kuqezinjtë mbrohen mirë dhe nuk rrezikojnë. Në pjesën e dytë tekniku Bulku hedh në fushë edhe lojtarë si Emiljano Mihana, Samuel Xhafkollari, Murselo Dervishi, Kian Ramadani, Eraldo Karaj dhe Enea Elmazi me rezultatin që nuk ndryshon deri në fund dhe Shqipëria U-16 merr fitoren e dytë në turneun Uefa Development U-16. Në takimin e parë Shqipëria U-16 triumfoi ndaj Moldavisë me rezultatin 3-0.
Ndeshja tjetër e luajtur po sot mes Ishujve Faroe dhe Moldavisë e luajtur po në fushën e Shtëpisë së Futbollit përfundoi me fitoren 3-1 të kombëtares moldave, që bëri një paraqitje të mirë dhe arriti të siguronte tre pikët e parë në këtë grup. Sakaq, ndeshjet e treta dhe të fundit të grupit do të zhvillohen ditën e diel.
Kalendari i plotë i ndeshjeve ‘UEFA Development U-16’
2 maj
Ishujt Faroe U16 – Azerbajxhan U16 2-4
Shqipëri U16 – Moldavi U16 3-0
4 maj
Ishujt Faroe U-16 – Moldavi U-16 1-3
Shqipëri U-16 – Azerbajxhan U-16 1-0
7 maj
Azerbajxhan U-16 – Moldavi U-16, 11:00 ‘Shtëpia e Futbollit’, Tiranë
Shqipëri U-16 – Ishujt Faroe U-16, 17:00 ‘Shtëpia e Futbollit’, Tiranë