Thursday, November 28, 2024

Turneu ‘UEFA Development U-16’, trajneri Bulku: I japim mundësinë lojtarëve të tregojnë vlerat e tyre, synojmë tre fitore

Lexo

Shqipëria U-16 për djem do të marrë pjesë në turneun ‘UEFA Development’ për këtë grupmoshë që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 2, 4 dhe 7 maj. Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet që prej pasdites të së shtunës dhe do të stërvitet intensivisht gjatë këtyre ditëve nën urdhrat e trajnerit Ervin Bulku dhe stafit teknik në Durrës.

Përveç Kombëtares U-16, në këtë turne do të marrin pjesë edhe përfaqësueset e Moldavisë, Azerbajxhanit dhe Ishujve Faroe, teksa të gjitha ndeshjet do të zhvillohen për herë të parë në ‘Shtëpinë e Futbollit’ në Tiranë.

Pas stërvitjes së parë me kuqezinjtë, trajneri Ervin Bulku ka dhënë një prononcim Fshf.org, ku ka folur për lojtarët e përzgjedhur dhe objektivat që ka përfaqësuesja U-16 në këtë turne.

Bulku thekson se ky aktivitet është një mundësi shumë e mirë për grupin e ri të kuqezinjve, që të tregojnë cilësitë e tyre, si dhe për të formuar edhe ekipin që do të përfaqësojë Shqipërinë në kualifikueset e ardhshme të Kampionatit Europian.

‘Ky është grumbullimi i parë pas shumë kohësh. Është një grup i ri lojtarësh që kanë ardhur nga ekipi kombëtar U-15, ndërsa tre prej tyre kanë qenë edhe pjesë e kombëtares U-17 në ndeshjet e ‘Elite Round’. Jemi përpara një turneu shumë të rëndësishëm, i dyti për nga rëndësia pas Europianit. Është një turne dhe format i njëjtë me atë të Europianit, ku do t’i jepet mundësia të gjithë lojtarëve të tregojnë cilësitë e tyre. Në bazë të vlerave që shfaqin lojtarët, por edhe me miqësoret që do të bëjmë në muajt në vijim do vazhdojmë të formojmë grupin”- tha tekniku kuqezi, i cili foli edhe për lojtarët e ftuar në këtë grumbullim për turneun ‘UEFA Development’.

“Janë lojtarë të provuar nga ne në miqësore, të ndjekur nga ne. Shumica e lojtarëve kanë qenë pjesë e grupit. Tani kemi edhe lojtarë që janë afruar për herë të parë, ndërsa kemi edhe lojtarë që nuk janë lejuar nga skuadrat e tyre, siç janë futbollistë nga Interi dhe Juventusi. Por shpresoj që në miqësoren e ardhshme të kemi të gjithë grupin e plotë, pasi është një grup i ri që po rindërtohet. Do bëjmë maksimumin që të fitojmë turneun dhe pastaj të vazhdojmë rrugën që të formojmë një grup sa më të mirë që të përfaqësojmë Shqipërinë në kampionatin europian”- nënvizoi trajneri Bulku.

Moldavia, Azerbajxhani apo Ishujt Faroe, cilit kundërshtar i druheni më shumë? – Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar, pasi përderisa nuk i jemi druajtur Francës, nuk kemi frikë asnjë rival tjetër. Ne do bëjmë maksimumin dhe do mundohemi t’i marrim maksimumin këtij grupi. Ne duhet t’i fitojmë të tre ndeshjet dhe të vazhdojmë punën tonë përpara për t’u përgatitur sa më mirë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img