Tuesday, November 25, 2025

Turneu Viareggio & rritja e futbollit shqiptar/ Presidenti Duka: Puna & vizioni, sekreti i Kombëtares. “Viareggio Super Cup”, një festë italo-shqiptare

Lexo

- Reklamë -spot_img

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, zhvilloi një intervistë me Fulvio Collovati, ku foli për finalen e Super Viareggio Cup mes Vllaznisë dhe Genoas, si dhe nënvizoi arsyet e suksesit të futbollit shqiptar, Kombëtares, rëndësinë e investimeve në të rinjtë dhe rolin që Tirana ka marrë si qendër e zhvillimit të futbollit.

Ai komentoi finalen e 4 dhjetorit mes Vllaznisë dhe Genoa-s, duke e cilësuar atë si një festë miqësie mes futbollit shqiptar dhe italian, dhe vuri theksin te puna, organizimi dhe mbështetja e tifozëve si bazë e rezultateve të arritura.

Më poshtë intervista e plotë e Presidentit Duka:

– President, kam dëshirë të di sekretin e këtij suksesi të Kombëtares shqiptare dhe lumturie të arritur, të këtij grupi të bashkuar, që ka arritur rezultate fantastike.

– Nuk mund të them që ka një ingredient sekret, por është vetëm puna e programuar, projekti jonë për të zhvilluar futbollin në Shqipëri, investimet në terrenet sportive dhe te të rinjtë, organizim, puna e të gjithë lojtarëve, sidomos e stafit teknik dhe të Federatës, qeverisë shqiptare, por edhe mbështetja e madhe nga tifozët. Nuk mund të them që është një sekret, por është thjesht punë dhe uria për sukses.

Nuk ka ardhur rastësisht, rezultatet janë fryt i punës të lojtarëve dhe stafit tonë teknik, i gjithë komuniteti futbollistik shqiptar. Edhe mbështetja nga qeveria dhe tifozët shqiptarë, pasi në Shqipëri të gjithë janë tifozë të futbollit dhe e duan Kombëtaren. Kjo është gjëja më e bukur që kemi momentalisht.

 

– Kam ndjekur me kërshëri “Eagle Cup”, një turne i futbollit për të rinj që u zhvillua në Tiranë pak muaj më parë, ndërkohë që në 4 dhjetor në Viareggio ndeshen dy ekipe, Genoa dhe Vllaznia në një finale të Superkupës. Çfarë përfaqësojnë këta të rinj?

– Po, në 4 dhjetor do të luajmë Superkupën e këtij turneu, të cilin e kemi zhvilluar në Shqipëri këtë vit, të cilin e ka fituar Vllaznia e Shkodrës, ku në fakt ka lindur futbolli në Shqipëri. Jam i lumtur që kjo skuadër ka fituar këtë turne dhe do të luajë ndaj Genoa-s në finale, më 4 dhjetor në Itali.

Kjo nuk është vetëm një ndeshje futbolli, por një shkëmbim kulture futbollistike, por edhe miqësie dhe vëllazërie mes futbollit shqiptar dhe italian. Kemi shumë raporte të mira me Italinë dhe duam ta zhvillojmë në një nivel të lartë edhe për futbollin.

Kjo Superkupë është një festë për lojtarët, për të rinjtë që marrin pjesë në aktivitete të tilla në Itali. Gëzohem që këta të rinj luajnë me pasion, kurajo dhe që u pëlqen të marrin pjesë në këtë turne, në këtë finale të një kupe që ka shumë histori në Itali e që tashmë duam ta zhvillojmë edhe në Shqipëri.

– Tirana është bërë shtëpia e futbollit, ku turne të shumtë ndërkombëtarë organizohen vazhdimisht. Si u arrit këtu?

– Po, Tirana është bërë shtëpia e futbollit. Ne kemi ndërtuar një shtëpi të vërtetë futbolli në qendër të Tiranës, ku luhet futboll dhe ku kemi organizuar këtë vit turneun, së bashku me organizatorët nga Italia.

Kjo qendër është një qendër mikpritje, kur lojtarët e rinj, jo vetëm luajnë futboll, por edhe krijojnë miqësi, ndajnë ide dhe rritje sportive. Në futbollin modern, lojtarët kanë nevojë për kompetencat teknike, por edhe një formësim njerëzor.

Eagle Cup ofron pikërisht këtë, një ambient të sigurt, profesional dhe stimulues, kur të rinjtë që vijnë nga vende të ndryshme, ndajnë eksperiencat, mësojnë dhe përfaqësojnë futbollin lokal.

Prandaj them gjithmonë që forca jonë nuk është vetëm te organizimi, por te klima e mikpritjes që ofrojmë në Shqipëri për të gjithë pjesëmarrësit e turneut.

Ne organizojmë këtë turne të rëndësishëm, “Eagle Cup”, por edhe turne të shumtë futbolli, për të ndihmuar lojtarët dhe për të krijuar këtë miqësi. Kjo do të ndodhë në finalen e 4 dhjetorit, do të jetë një festë për të gjithë fëmijët, lojtarët dhe pjesëmarrësit e kësaj ndeshjeje simbolike futbolli.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img