Arena e boksit profesionist ndalet mbrëmjen e së premtes në qytetin e Tuzit të Malit të Zi. Organizatorët e shoqatës së boksit profesionit kanë programuar një turne të zgjeruar, ku krahas betejave në ring është parashikuar të ketë edhe spektakël artistik.
Komuna e Tuzit e përbërë përgjithësisht me popullsi shqiptare, ka preferuar që krahas boksierëve vendas të këtë të ftuar edhe nga Shqipëria. Dhe, për këtë është zgjedhur kampioni i peshave të mesme, Arjon Kajoshi.
Kampioni i Vllaznisë Arjon Kajoshi, i cili po kalon një moment të shkëlqyer në boksin profesionist, për të cilin flet qartë bilanci i tij shumë pozitiv, tetë ndeshje dhe tetë fitore, kërkon fitoren e nëntë radhazi në ringun profesionist si dhe përmirësimin në ranglistën botërore, ku për momentin renditet në vendin e 299-të.
Për të realizuar një objektiv të tillë duhet kaluar dueli mbrëmjes së sotme, ku do të ketë përballë boksierin boshnjak Edis Dzambas.
Shkodranin Kajoshi e shoqërojnë në këtë turne dy bashkëqytetarët e tij, kryetrajneri i kombëtares, Zef Gjoni, si dhe trajneri i Vllaznisë, Lazarin Vila.