Friday, December 27, 2024

U-21/ Përmbysën Rumaninë dhe morën 3 pikë, trajneri Bushi: Ishte fitore karakteri & burrash, falënderoj çunat

Lexo

Kombëtarja U-21 zhvilloi një ndeshje spektakolare kundër bashkëmoshatarëve të Rumanisë një natë më parë, e vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Europian 2025. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Alban Bushi mposhtën me rezultatin 3-2 përfaqësuesen rumene, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin ‘Elbasan Arena’ në Elbasan. Golat për kuqezinjtë u shënuan nga Cristian Shpendi, kapiteni Medon Berisha si edhe Adrion Pajaziti.

Pas ndeshjes, trajneri Bushi, në një prononcim për fshf.org falënderoi të gjithë djemtë për fitoren fantastike dhe përmbysjen e rezultatit, duke marrë tre pikë shumë të rëndësishme që i japin Shqipërisë kreun e grupit për momentin.

“Në radhë të parë dua të falënderoj çunat sepse ishte një fitore fantastike, një fitore karakteri, një fitore burrash në kuptimin e plotë të fjalës. Pas 0-2 me këtë ekip që ishte shumë kualitativ, fizik dhe shumë i mirë, mendoj që çunat i kanë bërë të gjitha detyrat siç duhet. Ne vinim nga një transfertë shumë e vështirë si ajo e Armenisë. Ishim të lodhur dhe çunat kishin pak kohë që stërviteshin me njëri-tjetrin për shkak të mos-pajisjes së pasaportave. Por ky grumbullim që bëmë na bëri mirë, kishim shumë lojtarë të rinj në ekip dhe çdo gjë vajti mirë. I thashë dhe çunave përpara ndeshjes që çdo gjë mund të arrihet nëse ne luftojmë dhe sakrifikojmë. I dhashë dhe shembullin e ekipit kombëtar A se si fitoi me Poloninë. Dua t’i falënderoj nga zemra të gjithë ekipin, stafin dhe Federatën” – tha trajneri Bushi, i cili nënvizoi se çfarë nuk shkoi me ekipin që pësuan dy gola dhe më pas zbuloi ‘sekretin’ se si ia dolën kuqezinjtë të përmbysin ndeshjen.

“Pjesën e parë ata na kishin parë. Kishin një avantazh më të madh se ne rumenët që nuk kishin bërë asnjë ndeshje. Sepse ishin finalistë në Europianin e kësaj grupmoshe dhë kishin 10 ditë stërvitje për këtë ndeshje. Ne vinim nga transferta e vështirë e Armenisë. Kishim menduar të bënim një lojë siç e bëmë me ekipin bullgar, duke luajtur vertikal, por ata na e bllokuan atë pozicion. Kishim dhe pozicionin dy nga krahët, por që nuk funksionoi si duhet. Lodhja ndikoi disi. Por në pjesën e dytë morëm zemër dhe goli i parë ndikoi shumë si edhe freskia e fushës me lojtarët e rinj. Mund të them që edhe ekipi i Rumanisë mendoi se e fitoi ndeshjen pas 0-2, mund të ketë qenë edhe neglizhimi i atyre, por edhe forca jonë ishte shumë e madhe” – tha ndër të tjera tekniku kuqezi.

Koment për Adrion Pajazitin? Pajaziti u kontrollua te doktori i ekipit A, i cili na tha që ai mund të luajë vetëm 60 minuta dhe jo më shumë pasi mund të bëjë tërheqje, pasi e kishte muskulin gati për t’u këputur. Dua ta falënderoj nga zemra pasi erdhi në Armeni me ne. Doktori i Fulham i tha që duhet të jetë i kujdesshëm sepse e ka në limite muskulin. Por ai na dha golin e fitores, nuk u dorëzua. Është një lojtar i rëndësishëm për ne, si të gjithë lojtarët e tjerë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img