Janë luajtur dje ndeshjet e dyta të turneut ‘UEFA Development’ për moshën U-15, që luhet në Shqipëri dhe marrin pjesë kombëtaret e Shqipërisë, Hungarisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Ndeshja e parë e luajtur në fushën e Shtëpisë së Futbollit ishte ajo mes Kosovës U-15 dhe Maqedonisë së Veriut U-15. 90 minutat e kohës së rregullt përfunduan 1-1 dhe gjithçka u vendos nga gjuajtja e penalltive, ku Maqedonia e Veriut nuk gaboi dhe triumfoi 3-5.
Ndeshja ishte shumë e luftuar deri në minutën e fundit. Kosova U-15 kaloi e para në avantazh me Laurin Zhushi dhe pjesa e parë u mbyll 1-0 në favor të dardanëve.
Fraksioni i dytë nisi me Maqedoninë e Veriut më kërkues në fushë dhe ja dolën mbanë të vendosnin baraspeshën me Luka Lazarevski.
Koha e rregullt përfundoi 1-1 dhe gjithçka u vendos nga penalltitë, aty ku lojtarët e Maqedonisë së Veriut u treguan më të saktë.
Ndeshja e dytë ishte Shqipëri U15 – Hungari U-15, që u luajt po në Shtëpinë e Futbollit e që përfundoi 0-4 në favor të miqve.
Tekniku Armand Dama hodhi në fushë këtë formacion startues: Simon Lleshi, Petro Marku, Dion Vata, Xhoel Mezani, Frensi Mali, Denaldo Hyka, Adri Mehmeti, Alvin Zekaj, Majkol Luka, Denis Matraku, Arbër Lleshi.
Ndeshja nisi mjaft mirë për hungarezët që zhbllokuan takimin në minutën e shtatë.
Shqipëria u mundua të reagonte dhe kishte disa mundësi të mira me Alvin Zekajn dhe Majkol Lukën, por pa sukses.
Në vijim, Hungaria dyfishoi rezultatin në të 23-n me Csongor Makrai.
Pjesa e parë përfundoi 0-2, ndërsa fraksioni i dytë nisi me tre ndryshime për kuqezinjtë.
Në fushën e lojës u aktivizuan Elson Himallari, Dionis Pera dhe Henry Lleshi.
Shqipëria u ndëshkua sërish në minutën e 55-të. Csongor Makrai realizoi golin e tretë për Hungarinë.
Trajneri Armand Dama bëri sërish dy zëvendësime dhe aktivizoi Erjon Shkëmbin dhe Etrit Gjuzin por Hungaria U-15 realizoi edhe golin e katërt me Norbert Kiss.
Vetëm pas pak minutash kuqezinjtë i shkuan pranë golit me Henry Lleshin i cili gjuajti bukur nga jashtë zone, por portieri i Hungarisë shpëtoi një gol të sigurt.
Në fund sfida përfundoi 0-4 në favor të Hungarisë U-15.
Sfidat e fundit në grup do të luhen më 4 nëntor. Ndeshja Hungari– Kosovë do të zhvillohet në ora 11:00, teksa kuqezinjtë tanë do të luajnë ndaj Maqedonisë së Veriut në ora 14:00.
Më poshtë edhe kalendari i turneut dhe rezultatet:
Ndeshjet e para (30 tetor)
Maqedonia e Veriut U15 – Hungari U15 1-2
Shqipëri U15 – Kosovë U15 2-1
Ndeshjet e dyta (1 nëntor)
Kosovë U15 – Maqedoni e Veriut U15 1-1 (3-5 me penallti)
Shqipëri U15 – Hungari U15 0-4
Ndeshjet e treta (4 nëntor)
Hungari U15 – Kosovë U15 ora 11:00
Shqipëri U15 – Maqedoni e Veriut U15 ora 14:00