Programi i UEFA CFM (Certificate in Football Management), që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri nën organizimin e Akademisë së UEFA-s, partneri i saj akademik, Shkolla Zvicerane e Administrimit Publik (IDHEAP) e Universitetit të Lozanës dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, po i afrohet fundit me seminarin final që do të zhvillohet këtë javë në Tiranë.
Një nga programet më të rëndësishme të UEFA-s për këdo që punon në një organizatë futbollistike e që dëshiron të rrisë nivelin e menaxhimit dhe performancës, u mirëprit këtë herë nga Federata Shqiptare e Futbollit, që ashtu si edhe në të kaluarën, është treguar në lartësinë e duhur duke ofruar nivelin më të lartë të organizimit kur bëhet fjalë për aktivitete ndërkombëtare.
Ky program mësimor në menaxhim futbolli, që në fakt është mjaft impenjativ dhe i njëjtë për nga përmbajtja me atë që ofrohet nga universitetet më të mira europiane, ofrohet nga UEFA për përfaqësuesit e federatave anëtare si edhe për përfaqësues të futbollit në nivele të ndryshme.
Në këtë edicion kishte pjesëmarrës nga disa vende të botës si nga Gjermania, Hungaria, Bullgaria, Kroacia, Bullgaria, Azerbajxhani, Kosova si edhe nga FSHF apo klube të ndryshme shqiptare. Udhëheqës të programit ishin përfaqësues të Akademisë së UEFA-s, Universitetit të Lozanës dhe përfaqësues të FSHF-së.
CFM (Certificate in Football Management) synon të zhvillojë njohuritë teorike dhe praktike të një menaxheri, të rrisë performancën e një drejtuesi të lartë dhe ta afrojë atë me praktikat më të mira të futbollit europian. Në këtë edicion 30 pjesëmarrësit kanë marrë leksione nga pedagogë nga universitete të rëndësishme europiane si edhe menaxherë të mëdhenj të botës së futbollit e drejtues të UEFA-s. Përveç kësaj, ky program ka shërbyer edhe ndarjen e eksperiencave dhe socializimin mes profesionistëve të futbollit nga shumë vende të Europës si edhe krijimin e urave të bashkëpunimit që mund të jenë shumë të vlefshme për të ardhmen.
Pjesëmarrësit i janë nënshtruar përgjatë këtyre 9 muajve në seminaret e zhvilluara testeve në praktikë dhe teorike, duke pasuruar njohuritë e tyre me leksionet dhe programet akademike ndër më të mirat në Europë për menaxhimin e futbollit.
Ky edicion i CFM-së është konceptuar në tre seminare direkte me pedagogë në auditor dhe 6 module për kandidatët që zhvillohen në e-learning në lidhje me organizimin e futbollit, menaxhimit strategjik dhe operativ, sponsorizimet, marketingu, komunikimi dhe media, përgjegjësia sociale, eventet dhe menaxhimi i vullnetarëve. Në përfundim të seminarit do të zhvillohet edhe ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për pjesëmarrësit që do të arrijnë të mbyllin me sukses programin dhe të kalojnë të gjitha provimet.
Programi i Certifikimit në Menaxhimin e Futbollit ofron aftësi menaxheriale dhe rrit nivelin e stafit të FSHF-së dhe klubeve shqiptare, si një mundësi unike që u jepet njerëzve të futbollit në Shqipëri që të pajisen me një certifikate shumë të vlefshme siç është ajo e CFM dhe të përfitojnë një kualifikim mjaft të vyer e cilësor, ku janë të përfshirë emra të njohur të botës akademike.