Thursday, November 21, 2024

“UEFA Goalkeeping B” në fazën përfundimtare, Lorenzo Fattori i Fiorentinës mban leksion për kursantët e edicionit të dytë

Lexo

Edicioni i dytë i kursit “UEFA Goalkeeping B”, i organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe i licencuar nga UEFA, ka mbërritur në bllokun e fundit, duke ulur siparin me leksionin online të mbajtur nga lektori Lorenzo Fattori, i diplomuar në Koverçano dhe aktualisht koordinator i portierëve në klubin e Fiorentinës.

Fattori zhvilloi një leksion interaktiv, duke angazhuar kursantët me detyra të ndryshme në grup përgjatë sesionit, ndau eksperiencën e tij shumëvjeçare dhe programin e tij inovativ PAGS, i cili synon të përsosë aftësitë e portierëve të rinj, duke u fokusuar në zhvillimin kognitiv dhe fizik.

Programi PAGS (PLAY-ANALITICO-GLOBALE-SQUADRA) përbëhet nga katër faza, të cilat ndihmojnë në krijimin e një filozofie të unifikuar në trajnimet e portierëve në të gjitha grup-moshat, me qëllim që të zhvillohet një model loje portierësh, me theks në koherencën e korrigjimit dhe interpretimin e rolit.

Ky program synon vendosjen standardeve të reja në trajnimet e portierëve, duke promovuar një qasje gjithëpërfshirëse që përmirëson si aspektet fizike, ashtu edhe ato mendore të lojës.

Faza e parë e programit është Play, e cila fokusohet në aspektet kognitive dhe taktike për të përmirësuar gatishmërinë mendore të portierëve. Faza e dytë është ajo Analitike, e cila përqendrohet në detajet teknike, përsëritje lëvizjesh dhe korrigjime për të arritur zhdërvjelltësi teknike. Faza e tretë është Globale, me fokus në krijimin e një imazhi realist të lojës, ku portierët kalojnë nga situata të parashikueshme në të paparashikueshme, ndërsa faza e katërt quhet Skuadra dhe konsiston në trajnimin situacional, me fokus në sinkronizimin kolektiv dhe vendimmarrjen e portierëve.

Një nga elementët kyç të programit është “Koncepti Iceberg”, i cili thekson rëndësinë e fazave të përgatitjes që shpesh neglizhohen, si ato që ndodhin pak para ndërhyrjes. Kjo metodë fokusohet në kuptimin e lojës dhe pozicionimit, përtej thjesht ekzekutimit të një pritjeje.

Programi gjithashtu prezanton koncepte të reja për nxehmjen para ndeshjes, duke përfshirë aktivizimin neuro-muskular dhe rishikimin e situatave të kundërshtarëve. Këto strategji synojnë të rrisin vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e portierëve, duke siguruar që ata të jenë të përgatitur për çdo situatë në fushë.

Një theks i veçantë u vendos në analizën e performancës dhe rëndësinë e saj në përmirësimin e aftësive të portierëve, duke përdorur raportet e ndeshjeve dhe video të shkurtra që theksojnë veprimet kryesore dhe mundësojnë identifikimin e momenteve pozitive dhe negative të lojës, duke siguruar “feedback” të vlefshëm për lojtarët.

Kursi i zhvilluar në FSHF dhe me licencë të UEFA-s përbëhet nga seanca teorike dhe praktike të kursantëve me lektorët e ftuar, ku shpeshherë janë përzgjedhur figura të njohura nga fusha e trajnimit të portierëve në futbollin ndërkombëtar.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img