Kombëtarja shqiptare e futbollit amator vazhdon përgatitjet e saj për raundin e ndërmjetëm të kompeticionit UEFA “Regions’ Cup”, që do të zhvillohet nga data 14-20 gusht në Bosnje Hercegovinë, ku Shqipëria bën pjesë në Grupin 5, së bashku me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë.
Skuadra kuqezi e krijuar këtë vit nga FSHF bëri një paraqitje mjaft të mirë në raundin para-eliminator të grupit A, pasi regjistroi dy fitore (Armeni – Shqipëri 0-4, Shqipëri – Estoni 1-0) dhe u rendit e para e grupit me gjashtë pikë, duke lënë pas Armeninë e Estoninë dhe duke u kualifikuar kështu në randin e ndërmjetëm.
Shqipëria e futbollit amator do të luajë në raundin e ndërmjetëm të UEFA “Regions’ Cup” në Bosnje, në datat 14-20 gusht, ku do të ndeshet me Çekinë, Bosnje Hercegovinën dhe Skocinë. Në rast se ekipi kuqezi e mbyll këtë raund si vendi i parë në grup, do të sigurojë për herë të parë kualifikimin historik në fazën finale të UEFA “Regions’ Cup”.
Dy trajnerët e Kombëtares shqiptare të futbollit amator, Ardian Haçi dhe Igli Mumajesi kanë folur për fshf.org në lidhje me sfidat e radhës, duke folur për gjendjen e skuadrës dhe duke shpalosur njëkohësisht edhe objektivat e kuqezinjve në këtë turne.
Haçi dhe Mumajesi nuk i fshehin ambiciet për një sukses në pjesëmarrjen e parë në këtë turne ndërkombëtar dhe shprehin bindjen se kjo skuadër mund të shkojë larg, deri në fazën finale të UEFA Regions’ Cup, që do të ishte një arritje historike për futbollin amator shqiptar.
Ardian Haçi – “Kombëtarja e futbollit amator të Shqipërisë është krijuar për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar dhe nuk ka pushuar së punuari që nga ajo periudhë e deri më sot. Në muajin maj ne kaluam turin Para-eleminator që u zhvillua në Shqipëri dhe zumë vendin e parë. Tani jemi në turin e ndërmjetëm për t’u kualifikuar në finalet e Europianit që zhvillohet vitin tjetër. Aktualisht, që nga muaji maj e deri më sot, ne kemi vazhduar intensivisht përgatitjet me një plan stërvitor të detajuar, i cili ka bërë të mundur përzgjedhjen e futbollistëve që do të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë event që fillon në datën 14 gusht deri më 20 gusht.
Pritshmëritë dhe e ardhmja? Duke vënë theksin tek organizimi i mirë që ka bërë federata për krijimin e kësaj Kombëtareje dhe kushtet e mira që ka krijuar për mbajtjen në fushë të saj. Mendoj se e ardhmja e saj do të jetë edhe më e mirë, pasi është rritur interesi për të luajtur në futbollin amator. Aktualisht ka një fluks të madh kërkesash për të luajtur në Sunday League, pasi në përgjithësi lojtarët janë përzgjedhur nga Sunday League. Mendoj që e ardhmja do të jetë e ndritur”, – theksoi Haçi.
Igli Mumajesi – “Pas punës kolosale që u bë mbi përzgjedhjen e lojtarëve që do të merrnin pjesë në turin e parë para-eleminator, ne tashmë e kemi ngritur një database mbi këtë Kombëtare, që është përfaqësuese për turneun “Regions’ Cup”. Në këtë database ne punojmë dhe e modifikojmë, e pasurojmë herë pas here me lojtarë që ne e shohim të arsyeshme t’i thërrasim në këtë Kombëtare dhe pasi përzgjodhëm një grup djemsh prej 24 lojtarësh, ne ndërtuam një plan të detajuar pune mbi të cilin do të punonim në këtë fazë 2 mujore dhe nga të cilët do të zgjidhnim 18 lojtarët që do të jenë përfaqësues të kësaj Kombëtareje në turneun “Regions’ Cup”, që do të zhvillohet në Bosnje.
Përgatitjet dhe gjendja e skuadrës? Ne ngritëm një plan pune që duhet të bazohet në disa detaje dhe kritere, të cilat duhet të përshtateshin me kushtet që kishin djemtë që do të merrnin pjesë në stërvitje. Periudha ishte goxha e ngarkuar nga ana stërvitore, arritëm të ndërtojmë një plan të detajuar për të qenë gati në 14 gusht dhe mendojmë se e kemi arritur 100% këtë plan. Gjendja aktuale e sportistëve nga ana fizike është shumë e mirë, gjendja tekniko-taktike po ashtu është shumë e mirë. Kemi zhvilluar disa ndeshje miqësore, nga të cilat jemi shumë të kënaqur me paraqitjen e ekipit, rezultatet kanë qenë shumë të mira. Mendoj që në këtë moment që flasim, jemi gati të bëjmë një përfaqësim shumë dinjitoz në Bosnje.
Objektivat e kuqezinjve? Duke marrë parasysh kundërshtarët që kemi përballë, të cilët kanë disa vite eksperiencë në këtë turne, ne tashmë jemi ekipi surprizë në këtë kompeticion. Ne e treguam veten që në turin e parë, edhe pse nuk konsideroheshim favoritë. Sinjalin e kemi dhënë edhe për kundërshtarët. Kundërshtarët janë vërtetë të fortë, pasi Çekia është në vendin e tretë në Europë, Bosnja është vendi organizator i turneut. Me paraqitjen që kemi, me rezultatet që kemi marrë në ndeshjet testuese, mendoj që do jemi surpriza e këtij grupi dhe pretendentët kryesorë për të kaluar në turin final”, – përfundoi Igli Mumajesi.
Ndeshjet e raundit të ndërmjetëm të grupit C në UEFA “Regions’ Cup”:
Hradec Králové (CZE) – Shqipëri 14/08/2024, ora 17:00
Tuzla (BIH) – Shqipëri 17/08/2024, ora 17:00
Shqipëri – Central Scotland (SCO) 20/08/2024, ora 17:00