Kombëtarja shqiptare e futbollit amator ka zhvilluar këtë të mërkurë në Bosnje-Hercegovinë ndeshjen e parë të raundit të ndërmjetëm të kompeticionit UEFA “Regions’ Cup” ndaj çekëve të Hradec Králové.
Ndeshja përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të Hradec Králové, por pavarësisht humbjes skuadra kuqezi bëri një performancë të kënaqshme në këtë debutim në këtë fazë të këtij kompeticioni ndërkombëtar, duke krijuar raste për shënim.
Trajnerët Ardian Haçi dhe Igli Mumajesi hodhën në fushë këtë formacion titullar: Xhaferri, Pjetri, Imeraj, Rrahmani, Sokoli, Bajraktari, Eshi, Shehu, Alushi, Gjoka dhe Hasa.
Hradec e nis më mirë lojën dhe arrin të surprizojë ekipin shqiptar në minutën e tretë, duke gjetur avantazhin me atë të golit të shënuar nga Jakub Slavík. Kuqezinjtë përpiqen të reagojnë dhe i afrohen portës kundërshtare me Gjokën dhe Hasën, por pa sukses.
Në minutën e 41-të Hradec Králové dyfishon rezultatin me të njëjtin autor Jakub Slavík, ndërkohë që pjesa e parë mbyllet me avantazhin 2-0 të ekipit çek. Pjesa e dytë nis me zëvendësime teksa Elton Lame hyn në lojë në vend të Denis Hasës, dhe pavarësisht përpjekjeve çekët gjejnë edhe golin e tretë sërish me Slavík.
Në minutën e 55-të Shqipëria mbetet me 10 lojtarë në fushë me Albi Alushin që merr kartonin e dytë të verdhë dhe automatikisht të kuqin. Me një lojtar më pak përmbysja bëhët e pamundur, teksa në fushën futen si zëvendësues Paci, Çibuku e Loloci, por rezultati nuk ndryshon deri në fund dhe sfida mbyllet me fitoren 3-0 të Hradec Králové.
Shqipëria është pjesë e grupit C në raundin e ndërmjetëm të UEFA “Regions’ Cup” së bashku me Hradec Králové (Çeki), Tuzla (Bosnje-Hercegovinë) dhe Central Scotland (Skoci).
Tre ditë më vonë, më 17 gusht, kuqezinjtë do të përballen me vendasit e Tuzla (Bosnje-Hercegovinë) dhe më 20 gusht do të luajnë ndeshjen e tretë dhe të fundit të raundit ndaj Central Scotland (Skoci). Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në orën 17:00.
Shqipëria e futbollit amator u krijua këtë vit nga FSHF dhe arriti të kualifikohej fillimisht në raundin para-eliminator të grupit A, pasi fitoi ndaj Armenisë 0-4 dhe Estonisë 1-0, duke u renditur si e para e grupit më gjashtë pikë, për t’u kualifikuar më tej në raundin e ndërmjetëm.