Partizani B-Veleçiku, ishte çifti i fundit që mbylli javën e tetë të Kampionatit Kombëtar të futbollit për grupin A të kategorisë së parë. Një duel mbijetesë është konsideruar sfida në fjalë, me Veleçikun e parafundit në renditje dhe Partizanin B me vetem 3 pikë më shumë se sa koplikasit. Ndonëse në kampin e të kuqve, por edhe në media, pragndeshja është shoqëruar me një Partizan të karikuar vetëm për fitore, ballafaqimi në fushën e lojës ka folur ndryshe. Dhe kjo, për meritë të Veleçikut, i cili është shfaqur dinjitoz në fushën e lojës. Takimi i luajtur në kompleksin sportiv të Pezës ka filluar më mirë për Partizanin, i cili ka ushtruar presion në portën koplikase. Megjithatë, pjesa e parë është mbyllur në barazim me rrjeta të paprekura 0-0. Ndërkohë, 2 minuta nga fillimi i së dytës, vendasit kalojnë në avantazh me anë të Peqinit duke krijuar idenë se pas zhbllokimit të rezultatit do të vinin edhe gola të tjerë për Partizanin.
Por, nuk ndodhi ashtu, sepse pas pësimit të golit futbollistët koplikas të drejtuar nga trajneri Ardi Rrustemaj e përmirësojnë ndjeshëm lojën e tyre. Duke përfituar edhe nga një rënie e lojës së vendasve, kjo edhe në aspektin fizik, Veleçiku merr frenat e lojës duke kërkuar me insistim golin e barazimit, të cilin e arrijnë në minutën e 78-të përmes një penalltie, të cilën e shndërron në gol Brajan Shekaj. Edhe pas barazimit Veleçiku vazhdon të jetë dinjitoz në fushën e lojës, ku jo vetëm që e meritoi pikën e marrë në kryeqytet, por nëse do të guxonte më shumë në minutat e fundit, edhe mund të kthehej në Koplik me tre pikë.
Pika e marrë ndaj Partizanit e ngre Veleçikun në kuotën e 5 pikëve duke u barazuar me Erzenin e vendit të shtatë në renditje duke lënë Vorën të fundit me 4 pikë.