Veterani i njohur i futbollit shkodran i cili për shumë vite mbrojti me sukses portën e Vllaznisë, ka analizuar ecurinë e Vllaznisë në ballafaqimet Europiane duke përcjellë nota pozitive për kualifikimin e kuqebluve në turin e dytë, ndërkohë që vlerëson edhe pjesën e dytë të ndeshjes së parë përballë islandezëve të Vikingur që i dha fitoren 2 me 1, luajtur në stadiumin “Loro Boriçi”, e vlefshme për turin e dytë të Conferencë League.
Më tej, veterani i sportit Ahmet Meta, flet edhe për pragndeshjen e së enjtes, kur ndeshjen e kthimit të turit të dytë UEFA Conferencë League Vllaznia do të jetë udhëtuese në fushën e Vikingur Rejkjavik të Islandës.
Për veteranin Meta, fitorja e ndeshjes së parë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për avantazhin por edhe për anën psikologjike. Ai shfaqet optimist për një rezultat pozitiv, por që sipas tij, për të arritur tek suksesi i kualifikimit Vllaznia duhet menaxhojë në mënyrën më të mirë lojën e 90-të minutëshit të dytë në Rejkjavik.
Në prononcimin e tij për Veriu Sport, duke qënë se karriera sportive e tij është e gjitha në sektorin e portës, Meta, komenton edhe lojën e portjerëve shkodranë, Kristi Qarri dhe Aron Jukaj, për të cilët thotë se gabimi i një portjeri peshon shumë në skuadër, por që sipas tij, ato që të dy kanë pasur momente shumë të mira në ruajtjen e portës së Vllaznisë. Ndërkohë, sa i përket portjerit gjerman Leon Pohls, i zyrtarizuar pak ditë më parë tek Vllaznia, thotë se notën për të do ta japë kur ta shikojë në portën kuqeblu.
(Video) Prononcimin e plotë të veteranit të futbollit shkodran, ish portjerit të mirënjohur të Vllaznisë në vitet ’70, Ahmet Meta, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU