Sektori i Arbitrimit në FSHF ka nisur prej disa javësh seminaret me të gjithë arbitrat dhe asistentët e kampionateve të futbollit shqiptar. Fillimisht, puna nisi me gjyqtarët e kampionatit “Abissnet Superiore”, e më pas ka vijuar edhe me arbitrat e Kategorisë së Parë e Kategorisë së Dytë.
Sakaq, në bashkëpunim me UEFA-n, Sektori i Arbitrimit në FSHF i ka kushtuar një vëmendje të veçantë arbitreve dhe asistenteve femra në Shqipëri, duke organizuar seminare vetëm me to.
Këto seminare po zhvillohen në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” dhe do të zgjasin dy ditë e ku do të diskutohen tema të ndryshme, që nga ndryshimet e rregullores së re, te pozicionet ‘offside’ e faullet, përmes prezantimeve e diskutimeve të ndryshme.
Arbitret shqiptare do të kenë mundësi që të zgjerojnë njohuritë e tyre dhe të mësojnë më tepër edhe nga Dagmar Damkova, anëtare e Komitetit të Arbitrave në FIFA e UEFA. Në një prononcim për fshf.org, ajo tregon se qëllimi i këtyre seminareve është jo vetëm për të mbështetur FSHF-në si institucion, por edhe arbitret femra dhe për t’i mësuar ato të bëhen gjyqtare sa më të mira.
“Ky seminar konsiston në mbështetjen e arbitreve, në mbështetjen e Federatës dhe për t’i treguar mënyra se si të përfshihen më shumë, të bëhen gjyqtarë më të mirë dhe të kenë më shumë mundësi” – tha zyrtarja e FIFA-s dhe UEFA-s.
Më tej, ajo u shpreh se në këto seminare do të diskutohet rreth kërkesave që ka UEFA për arbitrat në përgjithësi, si edhe për të ritheksuar edhe njëherë objektivat dhe kriteret e qeverisë së futbollit.
“Do të bëjmë prezantime dhe kjo është një mënyrë për t’i treguar atyre se çfarë kërkojmë ne dhe çfarë kërkon UEFA. Kjo është gjëja kryesore, pasi nuk është mirë që arbitrat mos të ndjekin objektivat dhe kriteret e UEFA-s. Kështu që këto seminare do të na shërbejnë për t’u treguar atyre se çfarë duhet të bëjnë, përmes prezantimeve dhe diskutimeve” – vijoi ajo për fshf.org.
Sa i përket seminareve që UEFA organizon me Federatat anëtare, zyrtarja tregoi se janë pak a shumë të njëjta për të gjitha vendet, ndërsa theksoi se UEFA i ofron mbështetje më të madhe federatave të vogla.
“Është pak a shumë e njëjta gjë për të gjitha vendet, kështu që përpiqemi që të përfshijmë të gjithë federatat anëtare në UEFA. Varet se si funksionojnë, nëse mund t’i ofrojnë dikujt cilësi të mira për të qenë asistent ose arbitër në kompeticionet e UEFA-s. Ky është objektivi ynë kryesor.
Sigurisht që federatat e mëdha si Gjermania, Anglia, nuk kanë shumë nevojë për mbështetje, ndërsa federatat më të vogla, si Shqipëria kanë nevojë për mbështetje – shprehet Dagmar Damkova për fshf.org
(Video) Seminari i arbitreve të futbollit femra me zyrtaren e FIFA-s