Saturday, July 27, 2024

(Video) Autokritika e Vllaznisë. Kuqeblutë mundin Kukësin mes drithërimash. Marku, “heroi” i ndeshjes, shënon në të 96’

Lexo

Vllaznia-Kukësi 2-1(Shënues” 27′ Heriç, 90’+6′ Marku / 56′ Zivkoviç) 

E diele, 28 gusht 2022, ora 19:30, stadium “Loro Boriçi” Shkodër

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Juriç, Bulatoviç, Hakaj, Boshnjaku, Jonuzi, Heriç(Marku 73’), Mala(Çoba 88’), Latifi(Kaina 73), Hoxhaj. Në dispozicion: Qarri, Shehi, Smajli, Alivoda, Spahija, Vulaj, Kruja). Trajner: Mirel Josa

KUKËSI: Tafas, Ferreira, Ilieski, Bytyçi(Zivkoviç 46’), Haxhiu, Ndreca, Moraesh(Lejton 79’), Hasaj(Kote 64’), Taipi, Giasi(Berisha 79), Basha. Trajner: Skënder Gega.

Gjyqtarë: Kridenc  Meta, Egin Doda, Mario Shazivari, Orlando Kuka-VAR Juxhin Xhaja, AVAR, Denis Rexha.

Vllaznia bën autokritikën e duhur. Zhgënjimin e javës së parë në transfertë me Erzenin e ka konpensuar me një fitore të rëndësishme ndaj Kukësit, njërit prej rivalëve për titull. Një fitore e ardhur përmes drithërimave të minutave shtesë të lojës, pasi goli i fitores është shënuar në minutën e 96-të nga Herald Marku duke bërë që ai me të vertetë të konsiderohej si “heroi” i takimit për kuqeblutë.

Fitore për Vllazninë, e cila është një lloj autokritike për atë paraqitje të dobët të ndeshjes së parë ndaj Erzenit. Në sfidën e luajtur mbrëmjen e së dieles në stadiumin “Loro Boriçi”, tekniku Josa erdhi me ndryshime në formacion, sidomos me Esat Malën, i cili bëri debutimin e parë me fanelën kuqeblu duke qënë titullar nga minuta e parë. Ndryshime pati edhe në prapavijë dhe mesfushë me rikthimin e Bulatoviç dhe Periç.

Referuar kronikës së lojës, duhet thënë se ajo nisi me shkelmimin nga qendra të topit në mënyrë simbolike nga njeri prej figurave më të spikatura të futbollit shkodran në vite, Armando Cungut, aktualisht trajner i kombëtares U-19.

Dhe, më pas, që në start, epërsi totale e Vllaznisë, e cila e nis furishëm duke rrezikuar me dy raste radhazi, 3’ dhe 7’, me ane te Latifit dhe Hoxhajt, topat e të cilëve përfundojnë në shtyllë. Më pas vjen goli i Heriç në të 27-ten duke e kaluar Vllazninë në avantazh 1-0. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë.

E dyta nis si fotokopje e së parës me Vllazninë që ushtron presion në portën kundërshtare në kërkim të golit të “nokautit” që mund ta arrinte fare mirë, por kuksiani i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi që luan kundër skuadrës së qytetit të tij, shpërdoron një rast të pastër duke e çuar topin në shtyllë. Kuqeblutë vijojnë të ngulmojnë për të gjetur golin e dytë të sigurisë, por janë të paqartë në veprimet finalizuese.

Ndërkohë, nga ana tjetër, me lëvizjet e trajnerit Gega duke aktivizuar një sulmues më shumë në vijën e parë bën që loja e skuadrës së tij të rritet shumë. Në njërin prej sulmeve kuksiane, është Zivkoviç, i cili i ardhur në pjesën e dytë nga pankina përfiton nga një pasivitet i prapavijës kuqeblu, duke barazuar rezultatin në 1-1.

Goli e rritë akoma më shumë moralisht Kukësin, ndërkohë që Vllaznia vijon të ketë përsëri hapësira në prapavijë duke i dhënë mundësi futbollistëve miq të kërcënojnë portën e Zogoviçit.

Për të ndryshuar situatën, Josa bën lëvizjet e duhura në formacion. Aktivizon dyshen Marku-Kaina, duke risjellë në vemendje atë që bëri edhe ndaj rumunëve të Craiovës në pjesën e dytë. Rezultati është i njëjtë, pasi ato i japin më shumë impuls lojës kuqeblu. Pak më vonë në fushë nedhe i riu Çoba.

Vllaznia kërkon me insistim golin, por ndërkohë miqtë, sërishmi falë hapësirave në prapavijë i japin mundësi Peposhit të depërtojë në zonën kuqeblu, ku vetem vetë e ndihmon Vllazninë nga pësimi i golit të dytë. Bëhet fjalë për minutën e 90-të, kur gjithçka mund të mbyllej në favor të Kukësit.

Megjithatë, janë minutat shtesë të akorduara nga gjyqtari Kridenc Meta që kanë rezervuar emocionet më të mëdha. Në këmbëngulje e sipër, braziliani Kaina rrëzohet në zonë duke marrë aprovimin e gjyqtarit kryesor Kridenc Meta për një njëmbëdhjetërsh në favor të Vllaznisë. Vendim që më pas, me verifikimet e sistemit VAR, bie poshtë.

Vllaznia nuk dorëzohet dhe me një kundrasulm të shpejtë të minutës së 96-të shënon golin e dytë dhe të fitores me Herald Markun duke bërë “heroin” e Vllaznisë. Fitorja e parë në dy javë kampionat për kuqeblutë që rikthen qetësinë në kampin shkodran, pikërisht në prag të një ndeshje edhe më të rëndësishme, pasi në javën e tretë të Abissnet Superiore do të jetë mysafire në kryeqytet për tu ndeshur me kampionen në fuqi, Tirana.

(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia-Kukësi. Momentet dramatike të kohës shtesë, penalltia e anuluar dhe goli i shënuar nga Herald Marku 96’)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img