Basania FC-Tërbuni, 3-0(Shënues: Ardit Hoxha, Alsid Tafili, Albert Mila)
Gjyqtarë: Agron Kastrati, Gjokë Lera, Sonil Zeka(Shkodër)
Basania FC dhe Tërbuni, dy skuadrat e Qarkut Shkodër, pjesë grupit A verior të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë të futbollit shqiptar, u ndeshën pasditen e së shtunës në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës në një përballje miqësore.
Një miqësore që i shërben dy skuadrave që po përgatiten për nisjen e sezonit futbollistit 2024-2025, e cila paraqiti dy pamje. Një pjesë e parë e barabartë, jo vetëm në rezultat, 0 me 0, por edhe pak a shumë në nivelin e paraqitur nga të dy skuadrat në fushën e lojës.
Por, pjesa e dytë, paraqiti në fushën e lojës një Basania shumë më të motivuar, e cila nën drejtimin e trajnerit Haris Lika arriti të shënojë tre herë në portën e Tërbunit. Fillimisht me anë të Ardit Hoxhës, futbollist ky që sezonin e kaluar ishte pjesë e Tërbunit dhe këtë sezon ka firmosur për bushatasit, i cili pas një krosi nga e djathtë, goditi fort dhe saktë me kokë duke e dërguar topin në rrjetën pukjane. Më pas, goli i dytë vjen përmes pikës së bardhë të penalltisë, ku pas një pengimi në zonë të Egzon Shimës nga mbrojtja pukjane, gjyqtari kryesor Agron Kastrati nuk nguron të akordojë njëmbëdhjetëmetësh, të cilin e shndërron në gol, kapiteni Alsid Tafili.
Megjithë përpjekjet shumta të Tërbunit, skuadra e drejtuar nga trajneri Sinan Bardhi nuk arriti të shënojnë asnjë gol në portën bushatase, përkundrazi u ndëshkua me golin e tretë, me një goditje model distance, interpretuar nga Albert Mila.
Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja mbyllet me fitoren e Basania FC me rezultatin 3-0 , e cila, edhe pse një skuadër debutuese e ardhur nga Kategoria e Tretë, në një farë mënyre duket se i jep një “leksion” pukjanëve të Tërbunit që konsiderohen pretendentët kryesorë për fitimin e titullit kampion dhe kualifikimin në Kategorinë e Parë.
(Video) Pamje nga ndeshja miqësore, Basania FC-Tërbuni, 3-0.
Gaspër MARKU