(Video) Basket Meshkuj-Liga Unike. Vllaznia humbet në Shkodër me Golden Eagle Ylli të Suharekës 67:83. Kuqeblutë me mungesa dhe të lodhur nga Kupa me 3 ndeshje në 5 ditë nuk përballojnë suharekasit pretendentë për trofe

Vllaznia-Golden Eagle Ylli 67:83 (22:26, 17:20, 12:20, 16:17)

Vllaznia e basketit për meshkuj ka lënë pas Kupën e Shqipërisë, në të cilën bëri një prezantim të mirë, kur kemi parasysh fitoret ndaj Tiranës dhe Elbasanit, për turet çerekfinal dhe gjysmëfinal, ndërkohë që humbi finalen me Besëlidhjen potente dhe mbrëmjen e së martës luajti ndeshjen e javës së tretë të Ligës Unike përballë Golden Eagle Ylli të Kosovës.

Mungesat në formacionin e kuqebluve, sidomos ajo e Shestanit, si dhe një situatë jo e freskët në aspektin fizik, e ardhur kjo nga luajtja e tre ndeshjeve në harkun kohur të pesë ditëve për Kupën e Shqipërisë, ndikuan jo pak në përballjen ndaj Yllit të Suharekës, që në ecurinë e takimeve ishte ndeshje e katërt brenda javës.

Megjithatë, përpos këtyre rrethanave, ekipi mysafir nga Suhareka, në gjirin e të cilit bëjnë pjesë lojtarë kalibri, duke nisur nga kapiteni autoritar Gëzim Morina, si dhe disa basketbollistë cilësorë të huaj, mori një fitore të merituar në transfertën shkodrane.

Një fitore që u gatua që në pjesën e parë, të cilën e fitoi me rezultatin 39-46, pasi kaloi me sukses dy periodat e para me shifrat 22-1 dhe 17-20. Ndërkohë, pas kthimit në fushën e lojës për 20 minutat e pjesës së dytë, suharekasit e drejtuar nga trajneri Ales Pipan e thellojnë akoma më shumë diferencen me kuqeblutë vendas teksa fitojnë periodën e tretë 12-20. Në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes që i përket periodës së katërt, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Eni Llazani tenton të futet në lojë duke dhënë disa shkëndija pozitive, por duke shkuar vetëm deri tek shifrat 16-17 për miqtë nga Suhareka, të cilët fitojnë me meritë të gjithë ndeshjen me rezultatin 67-83.

(Video) Liga Unike në basketboll meshkuj. Pjesa e dytë e plotë, Vllaznia-Golden Eagle Ylli 67:83. Transmetim i Veriu Sport.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu