Vllaznia-Teuta- 72-71(19-13, 20-15, 18-22 15-21)
Gjysmëfinalja mes Vllaznisë dhe Teutës në basketboll për meshkuj, takim të cilin amatorët e basketbollit patën rastin ta shijojnë në transmetimin e drejtpërdrejtë të Veriu Sport, është shoqëruar me një rivalitet të plotë. Nga pesë takime që përcakton rregullorja për të kualifikuar skuadrën që arrin tre fitore, dy janë fituar nga Teuta në fushën e saj të pallatit të sportit “Ramazan Njala” dhe dy Vllaznia në fushën e saj të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”.
Ndeshja e katërt gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave është luajtur mbrëmjen e së enjtes në “Qazim Dervishi”, në një sfidë e cila u përshkua me faza shumë interesante, sidomos në fundin e saj ku fati i të gjithë ndeshjes u vendos në tre sekondat e fundit të krejt ndeshjes.
Por, pa shkuar tek fundi i takimit duhet thënë se Vllaznia ishte dominuese e pjesës së parë, me dy perioda të fituara pastër 19-13 e para dhe 20-15 e dyta duke shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 39-28.
Me këtë dominim të pjesës së parë, por edhe me një gjysmëperiode të së tretës kur avantazhi i Vllaznisë shkon deri në mbi 15 pikë diferencë, u krijua përshtypja se kjo ndeshje po fitohej lehtë nga kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi.
Por, ndryshe kanë menduar në kampin durrsak, të cilët duke përfituar nga shpërdorimi i disa aksioneve radhazi të Vllaznisë fitojnë periodën e tretë18-22 duke dhënë sinjale të drejtpërdrejta që perioda e fundit do të ishte edhe më luftarake.
Edhe pse në fakt, pak kush e mendonte se Teuta do të arritne të barazonte rezultatin, një gjë e till ndodhi pikërisht në periodën e katërt, atëherë kur tabela elektronike fiksonte shifrat e barabarta, në 63-63 dhe më pas në 71-71
Dramaciteti i kësaj ndeshje ishte rezervuar në 3 sekondat e fundit të krejt ndeshjes. Vllaznia ka të drejtën e dy gjuajtjeve të lira me amerikanin Sabb, i cili realizon vetem njërën prej tyre duke e çuar avantazhin 72-71 pqr Vllaznisë.
Tekniku malazez i durrsakëve, Nikola Milatoviç kërkon pushim duke dhënë orientimet e duhura për skuadrën e tij, e cila në fakt i pati mundësinë në dy-tre momente, por nga ana tjetër edhe tekniku kuqeblu Damian Bekteshi kishte bërë të njëjtën gjë me të tijtë duke forcuar fazën mbrojtëse. Dhe, vërshëllima përfundimtare e krejt ndeshjes gjen në fuqi shifrat 72-71 për Vllazninë.
Kështu, për të përcaktuar ekipin që shkon në finale e Superligës së absketbollit shqiptar do të luhet ndeshja e pestë, e cila në bazë të renditjes më të mirë të Teutës përpara fazës Play Off do të luhet tre ditë më vonë në fushën e Teutës.
(Video) Vllaznia-Teuta, pjesa e parë e ndeshjes 39-28. Transmetim me koment nga Veriu Sport. Në vijim edhe pjesa e dyta me rezultatin e përgjithshëm 72-71, si dhe prononcimi pas ndeshjes i trajnerit të Vllaznisë Damian Bekteshi.