Vllaznia U18-The Roses U18(Përmet), 52-45(6-8, 17-7, 13-11, 16-19)
Medina Hykaj, Isra Dibra, Visara Demaj, Reisa Trashani, Rajona Bizi, Adisa Berdica, Erajla Ymeraj, Antea Isufi, Dëbora Maraska, Senada Spada, Bora Alushi, Ajla Haxhia. Trajnere: Ingrit Dashja
Gjyqtarë: Dea Hushi, Serxho Gjoni, Vjoresin Ndreu
Në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës po zhvillohet faza finale Play Off në basket për femra me katër skuadrat më të mira të kategorisë U18. Vllaznia-The Roses, ka qënë gjysmëfinalja e parë, një sfidë kjo shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, e cila përcolli shumë emocion edhe radhët e publikut, ku krahas atyre shkodranë, prezent ishte edhe një grup tifozësh të ardhur enkas nga Përmeti për të mbështetur skuadrën e tyre.
Dhe, fillimi ishte më i mirë për basketbollistet përmetare, të cilat fitojnë periodën e parë me shifrat 6-8. Në dhjetëminutëshin e dytë është Vllaznia, e cila e drejtuar nga trajnerja Ingrit Dashja dhe kolegu i saj Rajmond Rasha, përmirësojnë gjithçka në fushën e lojës, dhe duke fituar 17-7 e mbyllin pjesën e parë në avantazh 23-15.
Vllaznia vazhdon të luajë mirë edhe në periodën e tretë, të cilën e fiton 13-11 duke e rritur avantazhin pas 30-të minutash me shifrat 36-26.
Komanda e basketbollisteve shkodrane të dirigjuaara nga kapitenia Medina Hykaj dhe organizatorja Isra Dibra vazhdon edhe në periodën e katër teksa e thellon avantazhin deri në 20 pikë diferencë. Por në pesë minutëshin e fundit, basketbollistet përmetare të drejtuara nga trajnerja Anila Çoba duke pasur pranë edhe përvojën e veteranit të njohur të basketbollit përmetar, Ethem Kaso, falë koshave të shënuar nga kapitenia Erika Muçenji dhe Aurora Dhedhes, e ngushtojnë diferencen e disavantazhit deri në 4 pikë.
Por, këtij ngërçi i jep zgjidhje basketbollistja e talentuar shkodrane, Isra Dibra, e cila me dy tre pikësha radhazi rikthen besimin dhe qetësinë në kampin kuqeblu. Në dy minutat e fundit është Vllaznia që e administron mësë miri ndeshjen duke bërë rezultati përfundimtar të jetë, Vllaznia 52 dhe skuadra përmetare, The Roses 45. Në këtë mënyrë, me këtë fitore të merituar, Vllaznia është finalistja e parë e fazës Play Off të Kampionatit Kombëtar U18 për femra duke pritur finalisten tjetër që do të dalë nga çifti, Tirana-Goga Basket.
(Video) Ndeshja, Vllaznia U18-The Roses U18. Pjesa e parë dhe e dytë. Transmetim nga Veriu Sport-me koment.
Gaspër MARKU