Për të rinjtë shkodranë që kanë pasion sportin e basketbollit është krijuar një mundësi shumë e mirë për të marrë mësimet e para bazë për basketbollin. Për këtë ka menduar projekti më i ri që ka nisur të zbatohet në Shkodër nën drejtimin e ish basketbollistit të njohur Herion Faslia, i cili është në rolin themeluesit të organizatës së projektit por njëherazi edhe në rolin e trajnerit në terren.
Në stafin e trajnerit Faslia janë edhe kolegët e tij, Ervin Berdica, Ankela Cara dhe Redi Rakaj, i cili njëkohësisht luan edhe në ekipin e parë të Vllaznisë në Superligë, me të cilët po zhvillon seancat stërvitore me grupe të interesuar të të rinjëve shkodranë.
Projekti “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet sportit profesionist”, financohet nga Kongresi Rinor Kombëtar në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës dhe ka për qëllim stimulimin e të rinjëve që të bëhen më proaktivë për çështjet që i shqetësojnë ata, si dhe më të prirur për të shfrytëzuar mundësitë ekzistuese.
Në kuadër të këtij projekti, do të realizohen 18 sesione stërvitore pa pagesë deri më datën 15 shkurt për të gjithë të rinjtë e qytetit të Shkodrës, të cilët janë të interesuar të provojnë veten apo të përparojnë në basketboll.
Gjatë këtyre sesioneve do të punohet në aspektin teknik dhe atë taktik, si dhe për përgatitjen fizike të përshtatur për basketboll, nën mbikqyrjen e 4 trajnerëve të ndryshëm.
(Video) Pamje nga seancat stërvitore që po zhvillohen me të rinjtë shkodranë në kuadrin e projektit, “Fuqizimi i të rinjve nëpërmjet sportit profesionist”, si dhe prononcimet e trajnerëve Herion Faslia dhe Redi Rakaj.