Vllaznia-Fieri 111-72 (27-18, 28-13, 32-15, 24-26)
Java e 20-të e Kampionatit Kombëtar të Superligës së basketbollit për meshkuj përballi në Shkodër Vllazninë vendase dhe ekipin Fieri Basket udhëtues, ekipi i dytë ky i qytetit të Fierit që konkuron në Superligë krahas Apolonisë.
Takimi i luajtur pasditen e së enjtes në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, të cilin amatorët e sportit të basketbollit patën rastin ta ndjekin në një transmetim të drejtpërdrejt realizuar nga portali Veriu Sport, nisi me avantashin e skuadrës mysafire që shënon koshin e parë duke kryesuar 0 me 2.
Vllaznia e drejtuar nga trajneri Damian Bekteshi do të barazonte shumë shpejt duke vijuar për disa minuta një ekuilibër në fushën e lojës, por që gjithësesi me kalimin e minutave, kuqeblutë bëjnë diferencën në fushën e lojës duke krijuar shkëputjen, që në mbyllje të periodës së parë është në shifrat, 27-18.
Me të njëjtën ritëm vazhdon edhe perioda e dytë, e cila në mbyllje fikson shifrat 28-13 përsëri në favor të Vllaznisë, e cila shkon në dhomat e zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e përgjithshëm 55 me 31.
Ajo që vendos përfundimisht fatin e kësaj ndeshje është perioda e tretë, gjatë së cilës Vllaznia shënon 32 pikë ndaj vetëm 15 të Fierit duke krijuar shkëputjen e madhe prej 41 pikësh diferencë.
Skuadra fierake e drejtuar nga një emër i njohur i basketbollit shqiptar, si Hermiona Çuko, në gjirin e së cilës spikasin kryesisht elementët e rinj përmirëson diçka në periodën e katërt, të cilën arrin ta fitojë me shifrat 24-26, por gjithësesi pa mundur të frenojë fitoren e Vllaznisë me shifrat e thella 111-72.
Një fitore, që përpos të tjerave, tekniku Bekteshi i dha hapësira të mjaftueshme elementit të ri duke lënë për shumë minuta në fushë, Mbiarën, Koplikun, Tafën, Kuqin, të cilët e justifikuan më së miri besimin e trajnerit.
(Video) Vllaznia-Fieri 111-72, ndeshja e plotë e transmetuar nga Veriu Sport, pjesa e parë dhe e dytë. Në vazhdim edhe dy prononcimet e trajnerëve: Damian Bekteshi(Vllaznia) dhe Hermiona Çuko(Fieri).