Ashtu siç ishte parashikuar, në krye të Vllaznisë në basketboll për meshkuj është vënë trajneri i Eni Llazani, i cili pas dorëheqjes së trajnerit të mëparshëm Damian Bekteshi, që në mbrëmjen e djeshme është prezantuar nga ana e drejtuesve të Shoqatës së Basketbollit Vllaznia dhe ka nisur menjëherë punën me skuadrën.
Në prononcimin e parë mediatik, trajneri Eni Llazani shpreh krenarinë dhe kënaqësinë që si shkodran dhe si ish pjesë e kësaj skuadre vite më parë, merr drejtimin e Vllaznisë.
Llazani e fillon punën në krye të Vllaznisë në një moment të vështirë, kur skuadra ka pësuar një sërë humbjesh duke mbetur në fund të renditjes, por Llazani premton që me punë dhe përkushtim do të bëjnë të mundur ndryshimin e situatës.
I pyetur për skuadrën, Llazani thotë se ka njohuri të mjaftueshme për funksionimin e saj, pasi edhe është ndeshur me të kur drejtonte një skuadër tjetër, ndërkohë që pjesë e mirë e basketbollistëve i ka trajnuar në skuadrën e tij të mëparshme, disa i ka pasë shok skuadre kur ka luajte, disa të tjerë i ka pasë kundërshtarë.
(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit të ri të Vllaznisë, Eni Llazani, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-Y0UTUBE