Wednesday, July 9, 2025

(Video) Besniku-Alevio-Besardo, tre portjerët e familjes Ndoj nga Velipoja, që po kontribuojnë për Vllazninë

Lexo

Shkak për të bërë këtë shkrim u bë Alevio Ndoj, portjeri i ekipit të Akademisë Futbollit Vllaznia U19, i cili me paraqitjen e shkëlqyer në ruajtjen e katërkëndorit të portës kuqeblu kontribuoi në fitimin e trofeut të Turneut Ndërkombëtar “Shkodra Summer Cup 2025”, organizuar nga shoqata Shkodra Sport Event me drejtues Jetmir Podgorica në qytetin e Shkodrës.

Për hirë të së vertetes, finalja me skuadrën ganeze Maverick, ishte tejet emocionuese, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, që duke pasur në formacion futbollistë cilësorë që luajnë edhe në eliten e futbollit afrikan, ushtroi presion në portën e Vllaznisë, por ndërhyrjet e portjerit Ndoj shpëtuan për mrekulli portën e Vllaznisë në pjesën e dytë duke e shpalluratë  fituese.

Ishte kjo arsyeja, kur pas vërshëllimës së fundit të arbitrit kryesor, ndërkombëtarit Ditmir Grimci, kolegët e skuadrës dhe stafi teknik, përgëzuan gardianin kuqeblu për pritjet e tij mjeshtrore.

Pjesë e këtij gëzimi ishte padyshim edhe Besnik Ndoj, babai i tij, ish portjeri i njohur me një karrierë të gjatë sportive si portjer dhe kapiten i Adës së Velipojës, sot trajner i portjerëve pranë Akademisë Futbollit Vllaznia. Dhe, së bashku me të, edhe djali tjetër më i vogël, Besardo Ndoj, portjer i Akademisë Futbollit Vllaznia U15, i cili aktualisht është pjesë e programit të trajnimit Elite Youth Development Academy zhvilluar në “Shtëpinë e Futbollit” pranë Federatës Shqiptare të Futbollit.

E veçanta e treshes së portjerëve, Besnik-Alevio-Besardo Ndoj, është se ato jetojnë në Velipojë, dhe për zhvillimin e seancave stërvitore, përfshirë edhe ndeshjet zyrtare, sakrifikojnë jo pak, duke udhëtuar edhe nga dy herë në ditë në Shkodër dhe anasjelltas. Një sakrificë e cila po shpërblehet me rezultatet pozitive që po regjistrojnë dyshja e portjerëve Alevio dhe Besardo Ndoj. Ndërkohë që Besardo, është në shënjestër të stafit të kombëtares së U15, si titullar i kësaj grupmoshe, Alevio ka marrë vemendjen e drejtuesve të KF Vllaznisë, të cilët që prej sezonit të kaluar futbollistik e kanë afruar atë në ekipin e parë nën patronazhin e trajnerit Ideal Lekiqi.

Një dëshirë dhe objektiv që Alevio e shpreh edhe në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, pas fitimit të Kupës së Turneut Ndërkombëtar “Shkodra Summer Cup 2025”, duke shpresuar të fitojë besimin stafit teknik me në krye trajnerin Edi Martini.

(Video) Prononcimin e plotë të portjerit të Vllaznisë U19, Alevio Ndoj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img