Vllaznia-Deçiq(Tuz-Mali i Zi) 3-0(Shënues: Lirim Kastrati 35’, Aris Ara 40’, Ensar Tafili 55’)
Vllaznia: Pohls, Bajrami, Pusi, Sala, Hakaj, Krymi, Kallaku, Qato, Kastrati, Ara dhe Balaj(U aktivizuan: Gurishta, Jago, Kuru, Tafili, Murataj, Kubazi, Bismark, Kapllanaj). Trajner: Edi Martini
Deçiq: Radoseviç, Ujkaj, Braunoviç, Miliç, Ljuljdjuraj, Bozqanoviç, Pavliçeviç, Djokaj, Maloku, Selimi, Goluboviç(U aktivizuan: Sekuloviç, Bajoviç, Bozoviç. Ibrahima). Trajner: Nebojsha Jamari
Gjyqtarë: Bekris Dragusha, Jetmir Podgorica, Saimir Hysjeni
Vllaznia dhe Deçiq e Tuzit në Kampionatin e Malit të Zi, shfrytëzuan ndërprerjen e kampionateve respektive për shkak të ndeshjeve të ekipeve kombëtare për të zhvilluar miqësoren në stadiumin “Loro Boriçi”.
Kjo ishte miqësorja e dytë mes këtyre dy skuadrave, ku e para u luajt në stadiumin e Tuzit në Mal të Zi, në prag të ndeshjeve europiane ku konkuruan të dy skuadrat në fjalë. Ndryshe nga fitorja e miqësores së parë 1-0 nga Deçiq, miqësorja e dytë e luajtur pasditen e së dielës në Shkodër u fitua nga kuqeblutë me rezultatin 3 me 0.
Një miqësore që sportdashësit patën rastin ta ndjekin në një transmetim të drejtpërdrejtë nga portali Veriu Sport, e cila në 45 minutat e para dhuroi dy gola, që të dy në portën e Deçiqit me autor Lirim Kastratin në minutën e 35-të dhe i riu Aris Ara në të 40-tën.
Një pjesë e parë, ku jo vetëm golat, por edhe loja ishte nën kontroll të skuadrës kuqeblu, me përjashtim të një momenti ku tuzianët kërcënuan me një rast të rrezikshëm duke iu afruar shumë golit, por shtylla pingule shpëtoi portën e gjermanit të Vllaznisë Pohls.
Tekniku Martini e filloi lojën me këtë fornacion: Pohls, Bajrami, Pusi, Sala, Hakaj, Krymi, Kallaku, Qato, Kastrati, Ara, Balaj, ndërkohë që në pjesën e dytë hodhi në fushë edhe Gurishtën, Jagon, Kuru, Tafili, Murataj, Kubazi, Bismark, Kapllanaj.
Ashtu si edhe në pjesën e parë, Vllaznia ishte dominuese edhe në 45 minutat e dyta, ku përpos golit të tretë të shënuar nga Ensar Tafili, i cili pasi i rrëmbeu një top mbrojtjes tuziane goditi në mënyrë perfekte në rrjetën e portjerit mysafir Radoseviç.
Gol ky që, megjithë përpjekjen e të dy skuadrave, vërshëllima e fundit e gjyqtarit shkodran Bekris Dragusha, i ndihmuar nga nga kolegët e tij Jetmir Podgorica dhe Samir Hysjeni, fikson rezultatin përfundimtar, Vllaznia 3 dhe Deçiq 0.
Përgjithësisht, një ndeshje e mirë e Vllaznisë, ku përpos Gjinit, në fushë ishin të gjithë blerjet e reja, përfshirë edhe Bismark. Një miqësore që i shërbeu shumë teknikut Martini duke kolauduar skuadrën për ndeshjen e javës së tretë, ku pret në “Loro Boriçi” Partizanin.
(Video) Vllaznia-Deçiq, pjesa e parë dhe e dytë, të plota në transmetimin e Veriu Sport me koment, të cilat mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU