Me ndeshjet finale të luajtura pasditen e së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodër, është mbyllur Turneu Ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2025”.
Një memorial që i kushtohet 14 ish boksierëve të mirnjohur shkodran që sot nuk jetojnë: Liman Kulla, Shyqyri Halili, Dervish Efovia, Ymer Gruda, Fadil Efovia, Ndoc Gjoni, Nazmi Halili, Kolec Ashiku, Lem Kosova, Shpresim Bregu, Kujtim Demi, Ramiz Halili, Fadil Zhega, Viktor Martini.
Ashtu si edhe në dy ditët e para, edhe dita e tretë është shoqëruar me duele luftarake, ku mes tyre duhet veçuar finalja e peshës deri në 65 kg në mes Kristian Balës së Shqipërisë dhe italianit Krug Mansor Tarik, ku fitues doli Bala.
Shumë i fortë dhe emocionues ishte edhe dueli i shqiptarëve për kategorinë e peshës 75 kg, Jurgen Tahiri i klubit Flamurtari dhe Besian Karaj i klubit Tirana. Pas një rivaliteti të fortë deri në mbyllje të të gjithë takimit, juria vendosi t’i japë fitoren Karajt, i cili ishte aktiv, sidomos në raundin e tretë.
Krahas Kristian Balës dhe Besian Karajt, kampionët individual të këtij turneu u shpallën edhe Mauro Cani i Shqipërisë për peshën 55 kg, Tomislav Dinoviç i Malit të Zi pesha 60 kg, Millosh Roganoviç Mali i Zi pesha 70 kg, Pietruszka Muciej i Polinisë i Polonisë, pesha 80 kg, Elvis Selmani i Shqipërisë pesha +90 kg.
Pjesë e Turneu Ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2025”, ishin edhe dekorimet që organizatorët, nënkryetari i Bashkisë Shkodër Alban Preka, presidenti Federatës Shqiptare të Boksit, Florian Kalivopulli, së bashku me kryetrajnerin Zef Gjoni dhe promotorin e ndeshjeve profesioniste, Mondi Ndoun e “Fists of Fire”, ndanë për katër nga figurat e boksit shkodran, Kolec Ashiku, Viktor Martini, Kujtim Demi dhe Liman Kulla.
Më pas, radha ka qënë për tre ndeshjet profesioniste, të organizuara nga “Fists of Fire” dhe promotori Mondi Ndou, të cilat kanë nisur me çiftin e femrave: Julian Igel(Zvicer)-Ana Reyes(Columbi), takim ky i fituar që në raundin e dytë me nokaut teknik nga zviceriania Igel, e cila në renditjen botërore mban vendin e 43-të.
Më pas, në ring janë ngjitur njëri pas tjetrit, dy boksierët shqiptarë, tiranasi Alban Beqiri dhe shkodrani, Senad Drini, dy duele këta që morën vemendjen e tifozërisë së pranishme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Fillimisht, ka qënë dueli i peshës 72 kg, Alban Beqiri(Shqipëri) dhe Roberto Casado(Spanjë). 6 raunde shumë të luftuara nga të dy boksierët, por për hirë të së vertetes, Beqiri ka pasur iniciativen gjatë të gjithë ndeshjes, sidomos në raundin e katërt, ku pas një breshëri goditjes e vurin në pozicion të vështirë kundërshtarin e tij. Dhe, në fund, fitorja e takoi me meritë Beqirit, që për të ishte fitorja e 15-të radhazi në profesionizëm me renditjen botërore në vendin e 140-të, duke dëshmuar nivelin e tij lartë dhe ambicjen për të ecur më tej në sfidat e ardhshme.
Dueli i tretë profesionist, që mbyllin aktivitetin ishte ai në mes shkodranit Senad Drini dhe gjermanit Aro Shwartz, ndeshje kjo e vlefshme për kategorinë e peshës 76 kg. Një sfidë kjo e kontrolluar që në fillim nga Drini, i cili me një siguri dhe qetësi për tu admiruar, nisi goditjet e forta në drejtim të kundërshtarit, pesha e të cilëve nuk u përballua nga gjermani i cili pësoi pesë nogdaume, duke detyruar gjyqtarin e ringut, Roland Kroi të ndërpresë ndeshjen. Fitore për Senad Drinin, e teta radhazi në profesionizëm pa asnjë humbje me renditjen botërore i 129-ti , që duke parë edhe moshën e re 24 vjeçare, specialistët e boksit, si dhe promotori i ndeshjeve profesioniste “Fists of Fire” Mondi Ndou, janë të bindur se kemi të bëjmë me një boksier që shumë shpejt do të mbërrijë në nivele të larta ndërkombëtare.
(Video) Pamje nga Turneu Ndërkombëtar “Memorial Vllaznia 2025”, dhe tre ndeshjet profesioiniste.
Gaspër MARKU-8 qershor 2025