Dinamo dhe Vllaznia, do të përballen mbrëmjen e së shtunës në stadiumin “Elbasan Arena” në kuadër të javës së 7-të të Abissnet Superiore. Një ditë përpara kësaj sfide, trajneri kuqeblu Thomas Brdariç doli në Konferencë shtypi me gazetarët shkodranë.
“Ishte një javë e shkurtër për ne dhe nuk kishim shumë kohë për të menduar nëse jemi të parët në renditje apo jo. Fokusi ynë është i përqendruar tek puna dhe ndeshja e radhës dhe të vazhdojmë serinë e rezultateve pozitive. Sfida jonë është të ruajmë këtë performancë sepse çdo ndeshje do të jetë e rëndësishme për ne.
Jam i fokusuar tek takimi i nesërm me Dinamon, një kundërshtar i fortë, një nga ekipet më të mira të kampionatit, ka lojtarë me cilësi shumë të mira individuale dhe një trajner me shumë përvojë. Por ne do të bëjmë çdo gjë që të jetë e mundur për të treguar se jemi ekipi më i mirë.
Do të ketë shumë sfida brenda ndeshjes së nesërme dhe jo vetëm një sfidë trajnerësh, por nuk e mbaj shumë mendjen tek këto detaje. Për mua si trajner nuk është shumë e rëndësishme që skuadra të bëjë një futboll të bukur, por të marrë pikë. Nëse ekipi luan edhe bukur, atëherë fitoret të shijojnë dhe më shumë”, tha ndër të tjera tekniku kuqeblu.
Ashtu si edhe në ndeshjet e tjera, edhe në përballjen me Dinamon Vllaznia ka mungesa titullarësh, ku krahas Grudës që mungon prej shumë javësh, tashmë është edhe Ardit Deliu.
Në fund, Brdariç foli edhe për problematikën e shfaqur ditët e fundit në radhët e tifozërisë për mbylljen e përkohshme të tribunës C5 duke shprehur besimin se një çështje e tillë do të zgjidhet sa më shpejt, pasi tifozët janë një mbështetje e fuqishme e skuadrës. Ai tha gjithashtu, se me rikthimin në “Loro Boriçi” pas një muaji në sfidën me Partizanin, dëshiron që të shikojë tribunën e Ultrasve plot.
(Video) Prononcimi i trajnerit Thomas Brdariç në prag të ndeshjes me Dinamon. Java e 7-të e Abisnet Superiore.