Java e 6-të Abissnet Superiore e përballë Vllazninë në transfertë me Kukësin, ndeshje kjo që do të luhet në “Arena Egnatia” duke filluar nga ora 13:45. Kuqeblutë vijnë në këtë sfidë pas fitores së thellë ndaj Dinamos, 6 me 3 në stadiumin “Loro Boriçi”. Fitore kjo që është lënë pas, sepse këtë të dielë kërkohet tre pikshi i radhës. 24 orë përpara këtij dueli, trajneri i kuqebluve, Thomas Brdariç ka dalë në konferencë shtypi, ku ndërsa vlerëson skuadrën kundërshtare, shprehet optimist për rezultat pozitiv.
“Jemi të lumtur për fitoren ndaj Dinamos që na dha atmosferë të mirë, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kërkojmë vazhdimësi. Duhet të stërvitemi sa më shumë që të marrim fitoret e radhës. Jemi përgatitur për ndeshjen ndaj Kukësit. Sot kemi stërvitjen e radhës ku do të shikojmë disa detaje të rëndësishme. Më pas do të udhëtojmë në Durrës e nesër kemi ndeshjen në stadiumin e “Arena Egnatia’. Shpresoj që fusha të jetë në gjendje të mirë pasi reshjet e shiut ishin të forta në Shkodër, por nuk e di sesi kanë qenë në Rrogozhinë. Për të dyja ekipet do të jetë e veçantë pasi as Kukësi nuk luan në shtëpi. Shpresoj që puntorët e fushës ta dijnë ta mbajnë fushën në gjendje të mirë që edhe ne të bëjmë një ndeshje të bukur. Kemi punuar për këtë repart dhe procesi për të ndërtuar një skuadër nuk bëhet pas një ndeshje, por kërkon kohë. Po mundohemi të punojmë sa më shumë në çdo aspekt ku kemi probleme. Jam i kënaqur që po punojmë të gjithë bashkë. Çdo kush duhet ta kuptojë që është diçka e veçantë të luash për Vllazninë. Secila ndeshja është një mundësi e mirë që tregon sa dëshirë kemi për të luajtur për ekipin tonë. Kukësi është një skuadër që bën presing shumë dhe luan një futboll të bukur. Ne duhet të jemi përkushtuar ndaj tyre e të japim më të mirën tonë që më pas të marrim rezultatin që duam. Do të ishte diçka e bukur, por Kukësi nuk do të na lëri shumë hapësira. Ne duhet të punojmë shumë për të marrë atë që kërkojmë nga ndeshja”, tha ndër të tjera njëshi i pankinës kuqeblu, Thomas Brdariç.