Ashtu siç është publikuar edhe më herët, ka nisur sot konkurimi i Kupës “Agim Tafili”, ku 20 çiklistët pjesëmarrës nga ekipet më të mira të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pedaluan në etapën e parë, me itinerarin: Europark Mamurras Fushë- Krujë-Lezhë-Berdicë-Mali Kolaj-Torovice-Balldre-Shkodër, me një gjatësi prej 124 km.
Siç bën të ditur kryegjyqtari i këtij aktiviteti, Arben Pinari, edhe pse kushtet e motit sot nuk ishin të mira, pasi çiklistët pedaluan nën reshjet e shiut, gara është shoqëruar me një luftë shumë të fortë sportive ku rivaliteti ka qënë deri në centimetrat e fundit të finishit.
Një finish që vite më parë, ishte legjenda Agim Tafili që i kushtohet kjo Kupë, i cili emociononte bashkëqytetarët e tij shkodranë me fitimet e etapave njëra pas tjetrës.
Ndërkohë, në etapën e sotme, e para e Kupës “Agim Tafili 2024”, është një shkodran tjetër si talenti Bruno Kola, i cili në pedalimin përfundimtar të aksit rrugor Xhabiaj-Parrucë kryesonte grupin, dhe vetëm në sprintin final është çiklisti nga Kosova i Klubit Sportiv Kastrioti, Blerton Nuha, i cili i rrëmben finishin Kolës duke fituar etapën me kohën 3 orë, 04 minuta dhe 06 sekonda. I dyti, me të qindtat e sekondës më shumë është kapiteni i Vllaznisë, Bruno Kola dhe i treti Henri Hysa i Teutës me të njëjtën kohë.
Një etapë kjo, që falë edhe kohës me reshje shiu, shpejtësia mesatare prej 40.6 kilometër në orë konsiderohet e një niveli të mirë nga ana e gjyqtarisë.
Renditja e çiklistëve në etapën e parë, Fushë-Shkodër, me një gjatësi prej 124 km e gjatë:
- Blerton Nuha-Kastrioti Kosovë
- Bruno Kola-Vllaznia
- Henri Hysa-Teuta
- Olsian Velia-Tirana
- Kristel Sota-Apolonia
- Kristian Vançevski-Maqedoni
- Viktor Vançevski-Maqedoni
- Dzmitri Prudnikau-Maqedoni
- Marçelo Kola-Vllaznia
- Mateo Balaj-Vllaznia
- Bjarke Nielsen-Tirana
- Geri Buzi-Apollonia
- Albion Kastrati-Kastrioti Kosovë
- Antonio Kollari-Studenti
- Erver Çizmja-Studenti
- Ardit Bicaku-Apolonia
- Jorgo Gjata-Apolonia
- Flavio Bleta-Vllaznia
- Armando Curuni-Besa
- Jorgzon Xhogli-Kastrioti Kosovë
(Video) Pamje nga Kupa “Agim Tafili”. Finishi i etapës së parë, Fushë Krujë-Shkodër, fitues Blerton Nuha i Klubit Kastrioti të Ferizajt.
Gaspër MARKU