Monday, April 29, 2024

(Video) Çiklizem-Rivalitet dhe emocione në Kupën “Agim Tafili 2024”. Blerton Nuha i Klubit Kastrioti Kosovë i rrëmben finishin shkodranit Bruno Kola

Lexo

Ashtu siç është publikuar edhe më herët, ka nisur sot konkurimi i Kupës “Agim Tafili”, ku 20 çiklistët pjesëmarrës nga ekipet më të mira të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pedaluan në etapën e parë, me itinerarin: Europark Mamurras Fushë- Krujë-Lezhë-Berdicë-Mali Kolaj-Torovice-Balldre-Shkodër, me një gjatësi prej 124 km.

Siç bën të ditur kryegjyqtari i këtij aktiviteti, Arben Pinari, edhe pse kushtet e motit sot nuk ishin të mira, pasi çiklistët pedaluan nën reshjet e shiut, gara është shoqëruar me një luftë shumë të fortë sportive ku rivaliteti ka qënë deri në centimetrat e fundit të finishit.

Një finish që vite më parë, ishte legjenda Agim Tafili që i kushtohet kjo Kupë, i cili emociononte bashkëqytetarët e tij shkodranë me fitimet e etapave njëra pas tjetrës.

Ndërkohë, në etapën e sotme, e para e Kupës “Agim Tafili 2024”, është një shkodran tjetër si talenti Bruno Kola, i cili në pedalimin përfundimtar të aksit rrugor Xhabiaj-Parrucë kryesonte grupin, dhe vetëm në sprintin final është çiklisti nga Kosova i Klubit Sportiv Kastrioti, Blerton Nuha, i cili i rrëmben finishin Kolës duke fituar etapën me kohën 3 orë, 04 minuta dhe 06 sekonda. I dyti, me të qindtat e sekondës më shumë është kapiteni i Vllaznisë, Bruno Kola dhe i treti Henri Hysa i Teutës me të njëjtën kohë.

Një etapë kjo, që falë edhe kohës me reshje shiu, shpejtësia mesatare prej 40.6 kilometër në orë konsiderohet e një niveli të mirë nga ana e gjyqtarisë.

Renditja e çiklistëve në etapën e parë, Fushë-Shkodër, me një gjatësi prej 124 km e gjatë:

  1. Blerton Nuha-Kastrioti Kosovë
  2. Bruno Kola-Vllaznia
  3. Henri Hysa-Teuta
  4. Olsian Velia-Tirana
  5. Kristel Sota-Apolonia
  6. Kristian Vançevski-Maqedoni
  7. Viktor Vançevski-Maqedoni
  8. Dzmitri Prudnikau-Maqedoni
  9. Marçelo Kola-Vllaznia
  10. Mateo Balaj-Vllaznia
  11. Bjarke Nielsen-Tirana
  12. Geri Buzi-Apollonia
  13. Albion Kastrati-Kastrioti Kosovë
  14. Antonio Kollari-Studenti
  15. Erver Çizmja-Studenti
  16. Ardit Bicaku-Apolonia
  17. Jorgo Gjata-Apolonia
  18. Flavio Bleta-Vllaznia
  19. Armando Curuni-Besa
  20. Jorgzon Xhogli-Kastrioti Kosovë

(Video) Pamje nga Kupa “Agim Tafili”. Finishi i etapës së parë, Fushë Krujë-Shkodër, fitues Blerton Nuha i Klubit Kastrioti të Ferizajt.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img