Lorik Boshnjaku ka shkëlqyer në këtë fillim të kampionatit, duke u bërë protagonist për Vllazninë edhe me dy gola. Mesfushori shkatërrues i kuqebluve doli dje para mediave në krah të trajnerit Migen Memelli, teksa foli për sfidën ndaj Egnatias. Sipas lojtarit nga Prishtina, që luan sezonin e tij të dytë në Shkodër, sot në 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” është momenti që kuqeblutë të thyejnë tersin ndaj rrogozhinasve. Boshnjaku mendon se Egnatia nuk ka më shumë cilësi se Vllaznia, teksa beson se do të mposhtet në përballjen e sotme.
Lorik, çfarë prisni nga ndeshja ndaj Egnatias?
Kur luan në shtëpi dhe për më tepër para tifozëve të veçantë që ka Vllaznia, është detyrim fitorja. Ne duhet të futemi në fushë shumë të fokusuar dhe pastaj të presim se çfarë do të sjellë ndeshja.
Pra, vetëm për tri pikë?
Normalisht që ndaj Egnatias ne do të futemi për fitore.
OK, por përballë është një kundërshtar që nuk e keni mundur dot asnjëherë në sezonin e kaluar…
Ndeshjet ndaj Egnatias kanë qenë gjithmonë të vështira për ne, por besoj se nga sot duhet të fillojmë ta thyejmë atë akullin që kemi pasur në përballjet mes tyre. Mendoj se i kemi të gjitha mundësitë për ta kaluar me sukses këtë ndeshje. Kurrsesi nuk mund të them se kemi një skuadër me më pak cilësi se Egnatia.
Jeni i bindur që Vllaznia do të tregojë një fytyrë tjetër ndaj Egnatias?
Ne kemi punuar shumë, prandaj dhe shpresoj që sot do ta tregojmë edhe në fushën e lojës këtë gjë. Secili prej lojtarëve që do të luajë do të tregojë veten, sepse cilësia e kampionatit është e barabartë.
Keni shënuar dy herë në këtë start të kampionatit. Çfarë ka ndryshuar këtë sezon për ju?
Sa u takon paraqitjeve të mia, është e vërtetë që po luaj disi më përpara dhe kjo më ka dhënë mundësinë edhe të shënoj, por po ju them me bindje të plotë se nuk më interesojnë statistikat personale. E rëndësishme mbi të gjitha është që Vllaznia të fitojë dhe të ecë përpara.
Admir URUÇI