Shkodra ka nxjerrë në vite shumë sportistë të njohur që kanë lënë emër gjatë karrierës së tyre sportive. Njëri prej tyre është edhe Ruzhdi Tymi, i cili sot në moshën 81 vjeçare, ka nostalgji për vitet e rinisë. Veterani i nderuar i sportit shkodran kujton mësimet e para që mori nga profesori i tij Fehti Dizdari, për të vijuar më pas me trajnerët e sportit të notit, Shuajp Mehmeti dhe Enver Muriqi.
Gara e parë e Ruzhdi Tymit me Vllazninë zhvillohet në pishinën e qytetit të Korçës në gushtin e vitit 1958, ku në kampionatin kombëtar shpallet kampion në stilin baterflaj duke vendosur edhe rekord kombëtar në distancën 200 metër.
Ruzhdi Tymi është kampion edhe i garës së kanotazhit, ku së bashku me kolegët e tij, Selami Brahimi, Nazmi Bajri, Kujtim Demi, Smajl Mehja, etj, janë më të mirët e kampionatit shqiptart aso kohe.
Falë vlerave të tij sportive, ashtu si edhe sportistë të tjerë cilësorë shkodranë, gjatë viteve të shërbimit ushtarak, Ruzhdi Tymi bëhet pjesë e ekipit të Partizanit duke garuar me sukses nën drejtimni e trajnerit Petrit Caslli.
Ndërkohë, paralelisht me sportin, emri i Ruzhdi Tymit, bëhet shumë i njohur edhe si një nga mjeshtrit më në zë në profesionin gjatë periudhës që punonte në Uzinën e Telave të Shkodrës, por edhe në ndërmarrje të tjera të Shkodrës, ku ka lënë emër shumë të mirë me punën dhe përkushtimin e tij në zbatimin e detyrave të ngarkuara nga drejtuesit.
Të gjitha këto, për karrieren sportive por edhe kontributin e tij si mjeshtër në profesion, veterani 81 vjeçar i sportit shkodran, i rrëfen në prononcimin ekskluziv dhënë Veriu Sport.
(Video) Intervistën e plotë në video, mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Veriu Sport në YOUTUBE.
Gaspër MARKU