98 çiklistë, përfaqësues të 14 ekipeve ndërkombëtare, mes të cilëve edhe kombëtarja kuqezi e Shqipërisë, nisën sot pedalimin në kuadrin e Turit Çiklistik të Shqipërisë, i 82-ti për nga radha.
Sipas programit, etapa e parë ishte ajo me itenerar, pedalimin nga Tirana në Milot, më pas drejt Rrëshenit, për t’u rikthyer sërishmi në Milot, e për të vijuar më pas me destinacion, Lezhë-Shkodër. Përgjithësisht ka qënë një etapë me luftë të fortë sportive dhe rivalitet në pjesën më të madhe të pedalimit, ndërkohë që në dalje të Lezhës, grupi të madh i është shkëputur një dyshe e përbërë nga Gabriele Fabritiis i Shqipërisë dhe Jesse Otter i Holandes.
Bukuria e kësaj etape ka qënë sprinti final, i cili në hyrje të qytetit të Shkodrës, aty përbri Urës së Bunës dhe deri në finishin e lagjes Parrucë(sheshi Zogu i Parë), ku i pari ka mbërritur çiklisti i kombëtares së Shqipërisë, Gabriele Fabritiis, i cili e përshkoi etapën e parë Tiuranë-Shkodër 151,78 km e gjatë me kohën 3 orë, 2 minuta dhe 57 sekonda duke lënë në vend të dytë holandezin Jesse Otter me 2 sekonda më shumë.
Pas 19-të sekondash, ka mbërritur grupi i dytë me 96 çiklistë, në krye të të cilëve ka qënë çiklisti kuqezi Valentino Kambëtar i ndjekur nga servi Ognjen Iliç.
Pas ndarjes së çmimeve përkatëse, në podiumin e montuar në sheshin “Zogu i Parë”, është ngjitur Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, i cili krahas përgëzimit të çiklistëve garues, ka vlerësuar me Policinë e Shtetit si dhe Policinë e Qarkut Shkodër, të cilët në sajë të hartimit të një plani masash në lidhje me bllokimin e akseve rrugore në oraret e parashikuara të pedalimit, shërbyen në mënyrën më të mirë në mbarëvajtjen e aktivitetit duke mos pasur asnjë problem gjatë të gjithë pedalimit në etapën e parë, Tiranë-Shkodër.
Turit i 82-të Çiklistik i Shqipërisë do të jetë pjesë e konkurimit në territoret e 5 bashkive të vendit deri më mbylljen e tij me 30 maj. Pas Shkodrës, etapa e dytë, është ajo Shkodër-Balldre-Thumanë-Maminas-Durrës-Rrogozhinë-Elbasan.
(Video) Pamje nga finish i etapës së parë të Turit të 82-të Çiklistik të Shqipërisë, Tiranë-Shkodër, dhe ceremonia e shpalljes së fituesve.
Gaspër MARKU