Pasi siguroi kualifikimin në Kampionatin Europian ‘Gjermani 2024’ me barazimin 1-1 ndaj Moldavisë në transfertë, Kombëtarja shqiptare udhëtoi menjëherë pas ndeshjes, për të mbërritur në Tiranë pas mesnatës. Stafi teknik ka vendosur që kuqezinjtë të nisin menjëherë përgatitjet për takimin e të hënës ndaj Ishujve Faroe, e fundit në këtë edicion kualifikues, ku do të kërkohet fitorja për të siguruar vendin e parë në Grupin E.
Gjatë paradites së sotme në ambientet e ‘’Shtëpisë së Futbollit’’ Kombëtarja zhvilloi seancën stërvitore në kuadër të ndeshjes ndaj Ishujve Faroe. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se në stërvitjen e sotme ishin të pranishëm të gjithë lojtarët. Futbollistët e aktivizuar si titullarë në sfidën ndaj Moldavisë u stërvitën vetëm në palestër, ndërsa pjesa tjetër e lojtarve pas punës në palestër, dolën në fushë dhe u stërvitën rregullisht nën urdhrat e trajnerit Silvinjo. Ekipi gëzon formë të mirë dhe nuk ka asnjë problem fizik.
Ndeshja Shqipëri – Ishujt Faroe do të luhet në stadiumin “Air Albania” më datë 20 nëntor duke nisur nga ora 20:45. Ndërkaq, ekipi do të zhvillojë përgatitjet e fundit në kuadër të sfidës ndaj Ishujve Faroe ditën e nesërme, ndërsa trajneri Silvinjo dhe kapiteni i skuadrës do të jenë përpara mediave në konferencën tradicionale për shtyp në ora 17:15.
(Video) Kombëtarja kuqezi nis përgatitjet për takimin e të hënës ndaj Ishujve Faroe.