Ekipi kombëtar i përfaqësueseve rajonale U-13 ka nisur për herë të parë grumbullimin në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”. Një risi e FSHF-së, që do të ndihmoj në evidentimin e talenteve më të spikatur, që mund të shërbejnë në të ardhmen për ekipet kombëtare.
Lojtarët më të spikatur nga ekipet e të gjitha shoqatave rajonale po stërviten nga trajnerë të specializuar pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Seanca e parë u drejtua nga trajnerët e Kombëtares U-15, Armand Damo dhe ai i Kombëtares U-17, Ardi Behari. Eksperti i futbollit pranë Drejtorisë Teknik në FSHF, ish-trajneri i njohur Sulejman Mema tregoi për fshf.org qëllimin e këtij grumbullimi. Ai theksoi se krijimi i Kombëtares U-13 do të shërbejë për të rritur kualitetin e futbollistëve dhe për të krijuar një model për mënyrën se si duhet të stërviten.
“Qëllimi është që ne të bëjmë ekipet kombëtare, të fillojmë që tani të përzgjedhim futbollistët, për t’i stërvitur ato. Me idetë që ne kemi, së bashku me sektorin teknik të FSHF-së janë të angazhuar të gjithë trajnerët. Në këtë grumbullim kemi përzgjedhur këto lojtarë, por gjithmonë do të ketë futbollistë të tjerë që do të shikohen, për të rritur kualitetin e tyre. Edhe pse tani janë 13-vjeçarë, nesër të jenë pjesë e ekipeve Kombëtare U-14, U-15 dhe në vazhdimësi. Qëllimi është për të rritur cilësinë dhe për të krijuar një stereotip nga mënyra se si duhen të stërviten”, – u shpreh fillimisht Mema.
Më tej, ai vlerësoi punën e bërë nga ekipet rajonale, ndërsa thekson se krijimi i Kombëtares U-13 është një mundësi e mirë për futbollistët, pasi në të ardhmen mund të jenë pjesë e ekipeve kombëtare.
“Mendoj që kjo ka kohë, jo në këtë formë, por në mënyra të tjera, pasi futbollistët janë grumbulluar nëpër rajonet e tyre, janë stërvitur çdo të hënë. Ne tani grumbullojmë më të mirët nga rajonet, për të përgatitur ekipin kombëtar të 13-vjeçarëve. Besoj që ja vlen, sepse edhe futbollistët e tjerë që ne i kemi marrë në ekipet kombëtare, tani janë pjesë e ekipeve kombëtare për të rritur dhe që bëjnë diferencën me pjesën tjetër”, – tha ndër të tjera Sulejman Mema.
(Video) Eksperti i futbollit pranë Drejtorisë Teknik në FSHF, ish-trajneri i njohur Sulejman Mema flet për grumbullin e kombëtares rajonale