Është nënshkruar sot mes Federata Shqiptare të Futbollit dhe Ministrisë së Arsimit e Sportit marrëveshja e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat”, që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.
Marrëveshja u nënshkrua sot përmes një ceremonie zyrtare nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi të organizuar në ambientet e MAS.
Për të implementuar këtë bashkëpunim do të ngrihet një grup i përbashkët pune që do të koordinojë programin në të gjitha fazat duke përfshirë edhe FIFA-n. Programi do të zbatohet në 116 shkolla në të gjithë Shqipërinë, teksa numri i mësuesve dhe veçanërisht fëmijëve të përfshirë do të jetë shumë i madh.
Në prononcimin për mediat gjatë ceremonisë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, tha se ky është një projekt shumë i rëndësishëm që bëhet për herë të parë në Shqipëri dhe se përmes futbollit mund të edukojmë më mirë nëpër shkollat e vendit brezat e rinj.
“Ju falënderoj që jeni në këtë ceremoni modeste, por shumë të rëndësishme për edukimin e fëmijëve nëpërmjet sportit. Ky është një projekt pilot, i pari në botë dhe që bëhet në Shqipëri. Është një insistim si rrallë ndonjëherë i Ministres Kushi, që në takimin që kishim për inaugurimin e ‘Shtëpisë së Futbollit’, objektivi ishte ky, që t’i kërkonte Presidentit të FIFA-s një projekt për shkollat dhe ia arriti për të gjithë fëmijët e Shqipërisë, në 116 shkolla në fillim dhe për t’u shtrirë më tej. Futbolli nuk është thjesht kompeticion, jo thjesht një aktivitet për t’u bërë, por është shumë i rëndësishëm për edukimin e të gjithë brezave të ri. Kemi kohë që kemi insistuar që të kemi futboll në shkolla, por ja që u desh ky takim i Ministres Kushi me Presidentin Infantino për ta realizuar. Dua të falënderoj Ministren, stafin e saj që ka punuar në bashkëpunim me stafin e FSHF-së, deri në kurorëzimin e miratimit të projektit”, – u shpreh Presidenti Duka, duke theksuar impaktin që pati finalja e madhe e UEFA Conference League në Tiranë vitin e kaluar, teksa shtoi se me ndihmën e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit mund t’i jepet një zhvillim edhe më i madh futbollit në shkolla dhe ç’është më e rëndësishmja, të rritet numri i fëmijëve që merren me sport e konkretisht me futboll.
“Sporti është shumë i rëndësishëm dhe shumë i mirë për edukimin e shëndetshëm të brezave, qoftë edhe me frymën e kompeticionit, për punën në grup. Këtë e ka dëshmuar së fundmi edhe Kampionati Botëror, e ka dëshmuar edhe finalja e UEFA Conference League që u zhvillua në Tiranë, që besoj se ka promovuar jo vetëm sportin, por edhe Shqipërinë, më shumë sesa çdo gjë që është bërë me më shumë buxhete. Ne jemi në një bashkëpunim shumë të mirë, mund ta theksoj, në më të mirin me Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, për të ndihmuar futbollin e fëmijëve, zhvillimin e futbollit në shkolla. Në këtë vit, do të doja të ritheksoja që si asnjëherë tjetër në Shqipëri do të zhvillohen 10 turne europianë. Institucionet e drejtimit europian të futbollit e besojnë tashmë Shqipërinë, besojnë në të gjithë trupën tonë të organizimit, sepse asgjë nuk mund të organizohet nga një Federatë, Ministri apo Drejtori. Të gjithë bashkë besojnë në trupën tonë. Të gjitha këto dhe projekti që ne po firmosim sot, jam shumë i bindur që do të shtojnë numrin e fëmijëve që merren me sport, do të largojnë fëmijët nga veset e këqija dhe do t’i afrojnë drejt futbollit. Nëpërmjet futbollit fëmijët do të bëhen qytetarë më të shëndetshëm, nëna më të mira, baballarë më të mirë dhe menaxherë më të mirë të vendit”, – deklaroi Presidenti i FSHF-së në fjalën e tij para mediave.
Ndërsa, Ministrja Kushi nga ana saj vlerësoi këtë nisëm, duke shpjeguar edhe detajet e projektit, që do të nisë fillimisht në 116 shkolla e më pas do të shtrihet në 416 shkolla të vendit si edhe rolin kyç që ka futbolli në shoqërinë tonë si një nga sportet më popullore në Shqipëri.
“Në shtator të vitit të kaluar Shqipëria u vizitua nga Presidenti i FIFA-s, z. Gianni Infantino, vizitë gjatë së cilës ne patëm mundësinë të diskutojmë së bashku për shumë projekte, jo vetëm për mbështetjen e sportit të futbollit në Shqipëri dhe konkretisht FSHF-së, por edhe për më shumë mundësi e mbështetje që FIFA ofron për vendet anëtare për futbollin në shkolla. Dhe që të nesërmen me FSHF-në kemi nisur nga puna për të hartuar projektin dhe marrëveshjen që do të firmosim sot. Një projekt që konsiston në shumë aspekte, por i fokusuar kryesisht në krijimin e ekipeve të futbollit në shkollat 9-vjeçare. Së dyti në furnizimin me bazë materiale të shkollave për zhvillimin e këtyre aktiviteteve sportive dhe së treti, trajnimin e mësuesve të edukimit fizik që më pas do të shërbejnë edhe si trajnerë të ekipeve sportive. Është një projekt që do të mbështetet totalisht nga FIFA. Në fazën e parë do të përfshihen 116 shkolla 9-vjeçare, për nxënësit djem dhe vajza. Në fazën e dytë do të përfshihen edhe 416 shkolla të tjera. Qëllimi është të identifikohen dhe të mbështeten talentet, por mbi të gjitha, ky është një projekt që mbështet edhe familjet shqiptare”, – tha Ministria e Arsimit dhe Sportit, duke falënderuar Federatën Shqiptare të Futbollit dhe FIFA-n për mbështetjen e madhe për masivizimin e futbollit kudo nëpër Shqipëri.
“Futbolli është një nga sportet më popullore në Shqipëri dhe për familjet shqiptare është mbështetje që fëmijët mund të përfshihen nëpër ekipe të ndryshme të futbollit pa pasur nevojë të paguajnë. Ne dhe Federata Shqiptare e Futbollit do të punojmë dhe jemi shumë të angazhuar që ky projekt të vijojë të zhvillohet. Projektin do ta zgjerojmë në të gjitha qytetet e Shqipërisë. Sporti për nxënësit është shëndet, fizik, mendor, social, por zhvillimi i sportit është edhe zhvillim ekonomik, turistik dhe është promovim për vendin. E falënderoj shumë FSHF-në, Presidentin Armand Duka, me të cilin kemi një bashkëpunim shumë të mirë, jo vetëm për këtë projekt, por edhe për shumë projekte të tjera. Shumë faleminderit për mbështetjen që i jepni futbollit në shkolla, por edhe zhvillimit të sportit të futbollit në Shqipëri. së bashku do të punojmë që objektivin për t’u kualifikuar në EURO 2024 ta bëjmë realitet dhe të përsërisim kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në EURO 2016. Faleminderit FIFA-s dhe z. Infantino që u angazhua vetë për këtë projekt që ne sot e bëjmë realitet”, – u shpreh Ministrja Kushi.
Qëllimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë mbështetja e shkollave, duke trajnuar mësuesit e edukimit fizik për të zhvilluar dhe zbatuar sportin e futbollit në aktivitetet jashtëshkollore. Gjithashtu marrëveshja do të sigurojë mbështetjen e shkollave duke shpërndarë materiale për zhvillimin e sportit të futbollit nëpërmjet FSHF-së.
Përmes këtij bashkëpunimi FSHF dhe MAS synojnë të ndihmojnë në zhvillimin pozitiv të aftësive fizike dhe një jete më të shëndetshme të fëmijëve dhe nxënësve; të ndihmojnë në krijimin e besimit në vetvete dhe disiplinës tek fëmijët dhe të rinjtë; të ndikojnë në rritjen e bashkëveprimit social dhe minimizimit të individualizmit; të ndihmojnë në përmirësimin e performancës në procesin e të mësuarit; të promovojnë e të zhvillojnë praktika gjithëpërfshirëse për nxënësit me aftësi ndryshe; të promovojnë dhe shpërndajnë kulturën e mundësive të barabarta, duke mbështetur pjesëmarrjen e femrave, në të gjithë nivelet e praktikës së tyre sportive si edhe të promovojnë e të implementojnë një edukatë të pastër sportive.
(Video) Federata Shqiptare të Futbollit dhe Ministria së Arsimit e Sportit, nënshkruajnë marrëveshjen e bashkëpunimit në kuadër të projektit “Programi i Futbollit për Shkollat”, që do të realizohet me mbështetjen e FIFA-s.