Monday, November 25, 2024

(Video) FSHF & Terre des Hommes Albania, trajnim 3-ditor për politikën e mbrojtjes dhe ruajtjes së sigurisë së fëmijëve në futboll

Lexo

Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me organizatën “Terre des Hommes” në Shqipëri kanë organizuar një trajnim me temën “Mbrojtja dhe Siguria e Fëmijëve në Futboll”. Prej kohësh FSHF ka hartuar politikat e saj për mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së fëmijëve në futboll, duke u bazuar edhe në direktivat dhe udhëzimet e UEFA-s dhe FIFA-s.

Në këtë kuadër Federata po organizon këtë trajnim të parë 3-ditor ku marrin pjesë përfaqësues të departamenteve të ndryshme në FSHF dhe përfaqësues nga shoqatat rajonale të futbollit nga i gjithë vendi, që punojnë çdo ditë me fëmijët. Në gjithë këtë proces FSHF mbështetet nga organizata e njohur Terre de Hommes”, ndërkohë që në ditën e parë të trajnimit të pranishëm Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSH-së, Anila Basha dhe ishin Drejtorja e “Terre des Hommes Albania”, Enkelejda Kallçiu.

Në fjalën e mbajtur në nisje të këtij aktiviteti, anëtarja e KE-së në FSHF, Anila Basha, e vlerësoi si një çështje mjaft sensitive atë të mbrojtjes së fëmijëve dhe si një aspekt të cilin Federata e ka në prioritetet e saj.

“Angazhimi ynë në FSHF është maksimal për këtë çështje dhe duhet të bëjmë maksimumin për të përmirësuar politikat e mbrojtjes dhe sigurisë së fëmijëve në futboll. E cilësoj si një hap shumë të rëndësishëm këtë trajnim dhe një mundësi shumë të mirë që të gjithë ne të japim kontributin tonë për implementimin e politikave të hartuara nga FSHF në drejtim të një mbrojtje sa më të mirë të fëmijëve. Kur fëmijët luajnë futboll, duhet të ndihen të sigurt, të lumtur dhe të angazhuar. Ne e dimë që trajneri luan rol shumë të rëndësishëm për të krijuar një mjedis të sigurt për të situatat e përditshme që lidhen me futbollin. Kjo quhet mbrojtje, dhe është një aspekt si cilës FIFA, UEFA dhe federatat e futbollit anembanë botës i kushtojnë rëndësi gjithnjë e më të madhe. Si trajner apo përfaqësues të shoqatave rajonale në të gjithë vendin që punoni çdo ditë me fëmijët, nga ju pritet që jo vetëm të jeni profesionist dhe i përgjegjshëm, por edhe një model për t’u ndjekur. Fëmijët ju shohin si model qoftë si trajner futbolli, qoftë si njeri. Me këtë rol vjen një përgjegjësi e madhe”. – tha Basha.

Specialistja për menaxhimin e rasteve dhe pika kombëtare e kontaktit për çështjet e mbrojtjes së fëmijëve në “Terre des Hommes Albania”, Valmira Greca, theksoi se ky trajnim vjen si rrjedhojë e bashkëpunimit të mirë me FSHF-në dhe shpjegoi gjatë këtij trajnimi 3-ditor fokusi i veçantë do të jetë paraqitja e procedurave dhe politikave kryesore që sigurojnë mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në futboll.

“Ky trajnim vjen si një rezultati i bashkëpunimit me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe misionit në Shqipëri të ‘Terre des Hommes’ me qëllimin kryesor për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në futboll. Ky trajnim është një nga elementët kryesorë për të siguruar dhe për të parandaluar situatat e dëmshme që mund të vijnë gjatë aktiviteteve të ndryshme sportive të lidhura kryesisht me futbollin. Gjithashtu gjatë këtij trajnimi 3-ditor do të kemi një vëmendje të veçantë për paraqitjen e procedurave dhe politikave kryesore që sigurojnë mbrojtjen dhe sigurinë e fëmijëve në futboll, – tha specialistja e Terre des Hommes. – Në përmbushje të misionit të Terres des Hommes, një organizatë ndërkombëtare që ka në fokus të veçantë mirëqenien e fëmijëve dhe sigurimin e mbrojtjes së tyre, ky bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit është në një aspekt shumë të rëndësishëm ku aktivitetet sportive dhe gara të ndryshme ku fëmijët përfshihen, është shumë e rëndësishme dhe ka një vëmendje të veçantë për të siguruar mbrojtjen e tyre. Trajnimi 3-ditor i pikave kryesore të kontaktit në nivel rajonal për persona të cilët janë përzgjedhur nga FSHF është në vijueshmëri të masave që UEFA ka ndërmarrë për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve në futboll. Kështu që edhe politika e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe mekanizmave të tjerë, që ajo ka prodhuar vetëm gjatë viteve të fundit janë shumë të rëndësishme për të promovuar dhe për të siguruar parandalimin e rasteve potenciale që mund të na ndodhin në abuzimet e fëmijëve në sport”, – u shpreh Greca në një prononcim për Fshf.org.

Në tre ditët e këtij trajnimi pjesëmarrësve iu dha një informacion i qartë i situatës aktuale, ku fokus do të jenë gjithmonë parandalimi, informimi dhe ndërgjegjësimi. Zyrtarët dhe trajnerët e përzgjedhur nga FSHF do të jenë pikat kyçe për zonat rajonale dhe departamentet që mbulojnë, pika e kontaktit për çdo person, i cili do të ketë kontakt të drejtpërdrejtë me individët e përfshirë në aktivitete, qofshin këta lojtarë, prindër apo trajnerë.

Një pikë tjetër e rëndësishme në këtë seminar është aftësimi i pjesëmarrësve si “lektorë”, sepse atë çka do ta përfitojnë dhe mësojnë në këtë trajnim, do t’ua përcjellin pikërisht personave që do të jenë pikat kyçe në implementimin e kësaj politike gjatë muajit janar, ku do të zhvillohet faza e dyte e trajnimeve të drejtuara nga zyrtarët e FSHF-së pjesëmarrës në këtë trajnim të parë dhe të asistuar nga specialistët e “Terre des Hommes”.

Qëllimi i FSHF-së në bashkëpunim me “Terre des Hommes”, nëpërmjet organizimit të këtyre seminareve, është të arrijë të ndërgjegjësojë dhe informojë sa më shumë pjesëtarë të komunitetit të futbollit për mbrojtjen dhe ruajtjen e sigurisë së fëmijëve.

(Video): Specialistja për menaxhimin e rasteve dhe pika kombëtare e kontaktit për çështjet e mbrojtjes së fëmijëve në “Terre des Hommes Albania”, Valmira Greca, flet për aktivitetin.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img