MFC Panthers-Barrikada 1-0 (Shënues: Albert Mila)
Kampionati Kombëtar i futbollit 9×9 po luan ndeshjet eleminatore të Kupës së Shqipërisë. Skuadra shkodrane MFC Panthers e drejtuar nga trajneri Fatmir Axhani po bën një paraqitje mjaft të mirë, ku pas kalimit me sukses të ndeshjeve eleminatore ka mbërritur në finalen e këtij kompeticioni.
Kjo ka ardhur pas fitores që MFC Panthers regjistroi ndaj ekipit tiranas, Barrikada. Ndeshja e luajtur në fushën sportive, “Skënder Halili” të kryeqytetit ka qënë shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, të cilat kishin objektiv finalen. Një gjë të tillë e ka merituar skuadra shkodrane, falë një supergoli të realizuar nga Albert Mila, ish futbollist i Vllaznisë dhe i disa skuadrave të tjera. Gol, i cili ka vulosur edhe fatin e krejt ndeshjes, e cila është mbyllur me rezultatin 1 me 0 në favor të MFC Panthers Shkodra.
Fitorja në fjalë, e kualifikon Panthers Shkodra në finalen e Kupës së Shqipërisë të futbollit 9×9. Finale, të cilën futbollistët shkodranë do ta diskutojnë me fituesin e çiftit Hidro Alfa – FC Dussel.
Në pritje të kësaj finaleje, presidenti i futbollit 9×9 për Shkodrën, Ergi Axhani, i cili për nevoja të skuadrës, herë pas here aktivizohet edhe në fushën e lojës si futbollist, po i qëndron shumë afër skuadrës, dhe të gjithë së bashku, kanë objektiv që të sjellin trofeun në Shkodër.
(Video) Pamje nga ndeshja e futbollit 9×9, MFC Panthers-Barrakida 1-0