Friday, May 3, 2024

(Video) Futboll Femra-Vllaznia likujdon Laçin, i tund 8-të herë rrjeten, në ndeshjen e prapambetur të javës së parë

Lexo

Vllaznia-Laçi 8-0

(Shënuese: Esmeralda Franja, Tarah Patterson 2, Megi Doçi 3, Esi Lufo, Megan Cavanaugh)

Vllaznia e futbollit të femrave ka zhvilluar pasditen e sotme ndeshjen e prapambetur të javës së parë të Kampionatit Kombëtar të Superligës së femrave. Përballë ka pasur Laçin, skuadrën debutuese, e cila përfaqësohet për herë të parë në historinë e këtij klubi me një ekip futbollit femrash.

Në fakt, zyrtarisht, në kalendarin e Federatës Shqiptare të Futbollit është e shkruar, Vllaznia-Laçi, por në fushën e lojës ishin të gjitha vajzat futbolliste të klubit shkodran Atletik Club Shkodra me në krye trajnerin e tyre Elis Legata.

Siç është bërë me dije edhe më herët, formula e re organizative e FSHF-së për këtë sezon futbollistik ka lënë jashtë skemës së konkurimit në kampionat dy ekipet e Shkodrës, Murlanin dhe Atletik Club Shkodra. Ekipe këto, që për të vijuar aktivitetin e tyre, kaluan në dy klubet e reja të miratuara nga FSHF. Murlani tek Kukësi dhe Atletik Shkodra Laçi.

Për Vllazninë, e cila është në pritje të ndeshjes së parë në grupet e Ligës së Kampioneve, përballja me ekipin modest të Laçit ishte si një test përgatitor në prag të sfidës europiane.

Ndeshja në fjalë u zhvillua në stadiumin “Loro Boriçi” me qëllim që skuadra të jetë sa më e ambientuar me terrenin ku do të luajë me datë 20 tetor ndaj skuadrës spanjolle, Real Madrid. Falë edhe nivelit modest të kundërshtarit, tekniku Nikolin Leka kishte bërë shumë ndryshime në formacion duke i dhënë hapësirë lojtareve të reja të stolit.

Sa i përket ndeshjes, 90-të minutat e saj janë mbyllur me rezultatin e thellë 8-0. Pjesa e parë prodhoi 5 gola duke pasur si golashënuese, kapitenen Esmeralda Franja, amerikanen Tarah Patterson me dy gola, Megi Doçin dhe Esi Lufon.

Ndërkohë, në 45 minutat e dyta, kanë ardhur edhe tre gola të tjerë, dy me autore Megi Doçin dhe një Megan Cavanaugh, duke bërë që i gjithë takimi të mbyllet me rezultatin e thellë 8 me 0 në favor të skuadrës kuqeblu.

(Video) Pamje nga ndeshja, futboll femra Vllaznia-Laçi, 8-0(Shkodër 9 tetor 2022)

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img