Vllaznia-Laçi 10-0
(Shënuese: Coka 3’, Doçi 18’, 23’, 26’, 51’, 71’, 79’, 81’ 88’, Shalaj 86’)
Vllaznia: O’Brien, Vuksani, Maliqi, Borçi, Ramadani, Doçi, Berisha, Kodra, Bashka, Barbosa, Cokaj(U aktivizuan: Shalaj, Franja, Gjini, Gjergji, Vrucaj). Trajner: Nikolin Leka
Laçi: Markaj, Vasa, Kurbasha, Caka, Krasniqi, Ndoci, Bajraktari, Kuraj, Reshi,Shpella, Gerbeti. Trajner: Elis Legata
Gjyqtarë: E Pjetrushaj, J. Mala, M. Martini, D. Perndreca, E. Hamiti
Vllaznia në futboll për femra bën detyrën duke kurorëzuar me sukses edhe javën e gjashtë të Kampionati Kombëtar të Superligës së futbollit për femra. Takimi i radhës ishte ai i luajtur sot në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës duke u ballafaquar me Laçin, skuadër e cila drejtohet nga trajneri shkodran, Elis Legata dhe që në përbërje të saj janë të gjitha futbolliste shkodrane.
Ndeshja në fjalë është dominuar tërësisht nga ekipi kuqeblu, i cili i drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, siç thuhet në gjuhën popullore, ka “shkrepur një dhjetëshe” në portën kurbinase duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej me rezultatin 10 me 0 në favor të Vllaznisë.
Ashtu si edhe edhe në ndeshjet e mëparshme, edhe në këtë ndeshje, Megi Doçi që ishte në cilësinë e kapitenes së skuadrës, nuk e ka harruar zakonin e saj për të shënuar në portën kundërshtare. Kështu, nga dhjetë golat e shënuar, tetë mbajnë firmën e Megi Doçit, e cila në harkun kohor të gjashtë javëve kampionat ka shkuar në kuotën e 48 golave, duke vijuar të përmirësojë rekordin e saj personal si golashënuese.
Dy golat e tjerë për skuadrën kuqeblu mbajnë firmën e dy Jehonave, Cokës dhe Shalës, përkatësisht në minutën e tretë dhe të 86-të.
Në takimet e tjera, Apolonia mundi Lushnjen 13-0, Gramshi u mund në shtëpi nga Kinostudio 0-2 dhe Partizani mundi Teutën 12-0. Pas javës së gjashtë, tabelën e klasifikimit të Superligës së futbollit femra e kryeson Vllaznia dhe Tirana me nga 18 pikë. Apolonia është e treta me 15 pikë, Partizani dhe Kinostudio në vend të katërt dhe të pestë me nga 12 pikë, për të vijuar me Laçin me 6 pikë, Gramshi dhe Teuta me nga 3 pikë, ndërkohë që Lushnja dhe Skënderbeu në fund të renditjes, vendi i nëntë dhe dhjetë, me 0 pikë.
Për t’u theksuar është se javën e adhshme, kalendari përball dy skuadrat kryesuese, Vllazninë dhe Tiranën, në një klasike të futbollit shqiptar. Përfundimi i kësaj supersfide që do të luhet në kryeqytet vendos se cila prej skuadrave do të vazhdojë të kryesojë e vetme tabelen e klasifikimit.
(Video) Goli i shënuar nga kapitenia kuqeblu, Megi Doçi, në portën e Laçit. Vllaznia, fiton 10-0. Stadiumi Reshit Rusi-Shkodër