(Video) Futboll Femra. Vllaznia shpartallon Egnatian 7-0 me 6 gola të Megi Doçit dhe 1 të Klaudia Borçit. Kuqeblutë kryesojnë të vetëm kampionatin me 27 pikë

Vllaznia-Egnatia 7-0(Shënuese: Megi Doçi 6’, 11’, 31’, 44’, 56’, 87’, Klaudia Borçi 88’)

Kampionati Kombëtar i Superligës së futbollit për femra ka luajtur javën e parë të fazës së dytë. Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka, ndeshjen e parë të kësaj faze e pati me Egnatian. Një ndeshje kjo, që falë kalendarit të Superiores së meshkujve ku Vllaznia luajti jashtë, u zhvillua pasditen e ë shtunës në stadiumin “Loro Boriçi”. Një vendim ky i ardhur edhe nga orientimi i Federatës Shqiptare të Futbollit që ndeshjeve të kampionatit kombëtar të femrave t’i krijohen kushte sa më optimale për zhvillimin e ndeshjeve të tyre.

Një ndeshje kjo e dominuar tërësisht nga ana e skuadrës shkodrane, e cila kaloi në avantazh që në minutën e gjashtë me anë të goleadores Megi Doçi. Është po kjo futbolliste që në minutat, 11, 31, 44, shënon edhe tre herë të tjera duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin 4 me 0 për Vllazninë.

Edhe pjesa e dytë vazhdon të jetë nën diktatin e Vllaznisë, dhe protagoniste është përsëri Megi Doçi, e cila tund edhe dy herë të tjera rrjetën rrogozhinase, përkatësisht në minutat 56-të dhe 87-të duke regjistruar golin e gjashtë personal në këtë sfidë.

Dy minuta nga fundi i krejt ndeshjes vjen edhe goli i shtatë, që këtë radhë ka për autore Klaudia Borçi, e cila zyrtarizon rezultatin e thellë, Vllaznia 7 dhe Egnatia 0. Fitore kjo e thellë e skuadrës kuqeblu, e cila, ndonëse me një ndeshje më pak sesa rivalet e saj, kryeson e vetme kampionatin e superligës së femrave me 27 pikë, e ndjekur nga Gramshi me 25 pikë, Apolonia 21, Partizani 19, Kinostudio 15, Egnatia 13, Laçi 10, Tirana 4, Teuta 2 dhe Lushnja e fundit me 1 pikë.

(Video) Pamje nga ndeshja Vllaznia-Egnatia, 7-0. Superliga e futbollit femra.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu